Ministri i Jashtëm Igli Hasani, ka njoftuar se qytetarët shqiptarë të cilët kanë udhëtuar në Lindjen e Mesme, janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shkroi se prej mbrëmjes së të shtunës, përmes koordinimit të pandërprerë me ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, nisi puna për të organizuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon.
Postimi i plotë:
Qytetarët shqiptarë, që udhëtuan javën e kaluar për arsye pune apo turistike në Lindjen e Mesme janë shëndoshë e mirë.
Prej mbrëmjes së të shtunës, përmes koordinimit të pandërprerë me ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, nisëm punën për të organizuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon.
10 nxënës që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael, 7 prej të cilëve nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova, së bashku me 5 punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe familjarë të tyre, kanë mbërritur në Qipro. Sot në mbrëmje të 15 qytetarët që u larguan nga Tel Aviv udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës.
Po punohet për kthimin në atdhe edhe të dy qytetarëve, të cilët nuk mundën dot të përgjigjeshin në telefon të djelën, ndërsa përgatitej fluturimi i rradhës.
Ndërkohë, 13 turistë shqiptarë janë larguar mbrëmjen e djeshme nga Jordania, e prej disa orësh janë pranë familjeve të tyre në atdhe.
Mirënjohje diplomatëve të Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, të cilët ndihmuan dhe asistuan qytetarët në këto orë të vështira.
Discussion about this post