Prokurori Adnan Xholi do jetë shefi i ri kundër krimit të organizuar në SPAK. Ky vend kishte mbetur bosh sepse më herët atë e mbante prokurori tjetër Altin Dumani, i cili më datë 16 dhjetor 2022 u emërua në krye të Prokurorisë Speciale SPAK.
Me detyrën që ju besua si kryeprokuror, Altin Dumani ka vendosur që në krye të drejtorisë kundër krimit të organizuar që vepron brenda SPAK dhe merret vetëm me këto çështje, të emërojë rivalin e tij Adnan Xholi.
Prokurori Xholi ishte një nga dy rivalët që Altin Dumani kishte përballë në garën për të marrë kreun e SPAK. Adnan Xholi njihet si prokuror “i besuar i amerikanëve”, pasi është ndër të paktët prokurorë shqiptarë të nderuar me certifikatë mirënjohjeje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, post të ri ka marrë dhe ish-kreu i SPAK Arben Kraja, i cili me urdhër të Altin Dumanit do të jetë drejtues për bashkëpunimin ndërkombëtar. Kraja do të koordinojë punën e Prokurorisë Speciale që drejtori vetë për tre vite, me partnerët ndërkombëtarë.
Prej dhjetorit 2022 kur në krye të Prokurorisë Speciale u zgjodh Altin Dumani, Kraja është në të njëjtin rang me prokurorët e tjerë të kësaj strukture, mirëpo, tashmë do të drejtojë dhe drejtorinë për bashkëpunim ndërkombëtar. SPAK është i ndarë në disa drejtori dhe secila prej tyre ka një shef dhe një grup prokurorësh që hetojnë në këto drejtime.
Discussion about this post