Koordinatori i DASH për Anti-Korrupsionin, Richard Nephew ka mbërritur në Shqipëri, ku do të qëndrojë për një vizitë zyrtare dhe do të ketë takime me drejtues të drejtësisë, zyrtarë publikë e shoqërinë civile. Ambasada e SHBA shprehet se R.Nephew ka nisur vizitën në Tiranë.
Në faqen zyrtare të ambasadës është publikuar edhe një foto nga takimi i të ngarkuarit me punë të ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner me Nephew. Ambasada deklaron se Nephew riafirmon mbështetjen e SHBA për reformën në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen.
“Sot mirëpresim Richard Nephew, Koordinator i Departamentit të Shtetit të SHBA për Anti-Korrupsionin Global. Nephew po viziton Shqipërinë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai do të takohet me drejtues të sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë civile shqiptare, si dhe me zyrtarë publikë”, shkruan ambasada amerikane në Tiranë.
Discussion about this post