Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë i ka dorëzuar zv/Kryeministres Belinda Balluku raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.
Gjatë një takimi në Kryeministri, ambasadorja e BE vuri në dukje se lufta e Rusisë në Ukrainë ka afruar edhe më shumë Bashkimin Europian me Ballkanin Perëndimor.
“Realiteti i ri gjeopolitik, lufta e Rusisë, i ka afruar më shumë BE dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ka kërkuar solidaritet të plotë të të dyjave palëve. Kjo situatë e ka vendosur edhe njëherë zgjerimin e BE në krye të axhendës. Perspektiva e anëtarësimit në BE është një spirancë e fortë jo vetëm për begatinë, por edhe për paqen. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim shumë të qartë për orientimin e saj strategjik dhe për rolin e saj si partnere e besueshme e Bashkimit Europian”.
Ambasadorja e delegacionit të BE vuri në dukje gjithashtu se tashmë Shqipëria ka hapur negociatat për anëtarësim do të jetë nën monitorim më të rreptë nga BE-ja.
“Jemi në një fazë të re të procesit për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Ne nuk duam të humbasim as edhe një moment. Raporti i Komisionit i këtij viti për Shqipërinë, ofron situatë të drejtë për situatën në të cilën gjendet vendi, dhe ofron edhe udhëzime për hapat që duhet të ndjekë Shqipëria. Si vend negociues, Shqipëria tashmë bëhet pjesë e ligës së parë. Kjo do të thotë që ju keni rastin tani që të arrini vende të tjera, por do të thotë gjithashtu që Shqipëria do të jetë në monitorim gjithnjë e më të imtësishëm. Dhe do të duhet udhëheqje e fortë politike, kjo do të jetë thelbësore, për të dhënë ato reforma që duhen për të ecur në procesin e negocimit. Në përgjithësi, vlerësimi i raportit është që Shqipëria ka vazhduar të ketë në fokus axhendën e reformave të BE, pavarësisht sfidave që kanë lindur për të trajtuar të gjitha ato pasoja ekonomike dhe sociale të tronditjes apo shokut të 3-fishtë të tërmetit të vitit 2019, pandemisë dhe luftës ruse në Ukrainë”, theksoi ambasadorja.
“Pasaportat e arta”, ambasadorja e BE: Skemat e dhënies së nënshtetësisë kanë rreziqe
Dy draftet e qeverisë, ai për dhënien e nënshtetësisë shqiptare investitorëve të huaj dhe amnistia fiskale, janë ende në fazën e konsultimeve dhe ndaj të cilave kërkohet kujdes nga ana e ndërkombëtarëve.
Në këtë aspekt, ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann, thotë se skemën e dhënies së nënshtetësisë, që deri para pak kohësh aplikohej edhe nga vendet e BE-së, këtyre shteteve u është kërkuar që të heqin dorë për shkak të rrezikut që paraqet situata aktuale duke marrë shkas edhe nga lufta ruse në Ukrainë.
“BE respekton sovranitetin e cilitdo shtet për të vendosur se çfarë skemash do të ketë për dhënien e nënshtetësisë. Por në të njëjtën kohë duke patur parasysh kontekstin në të cilin jetojmë dhe agresionin rus kundër Ukrainës, kjo lloj skeme do të vinte në pah edhe disa rreziqe që janë shprehur qartë në raport. Pra, ju e dini që në Mars të këtij viti KE u rekomandoi të gjitha shteteve anëtare që t’i jepnin fund skemave të nënshtetësisë së kësaj forme dhe ju po ashtu e dini që javën e shkuar një shtet anëtar u padit në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së për shkelje të kësaj dispozite. Pra, KE është shumë i qartë dhe secili shtet duhet të vendosë se si do të ecë përpara me këtë çështje”.
Ndërsa për amnistinë fiskale, ambasadorja e BE u përgjigj shkurtimisht: “Ju e dini që ne po vijojmë bisedimet”.
Nga ana tjetër, zv/Kryeministrja Balluku tha se amnistia fiskale synon legalizimin e parave të emigrantëve shqiptarë, dhe jo të formalizojë paratë e aktivitetit kriminal.
“Amnistia fiskale ka kaluar si rrallëherë më parë një proces shumë të rëndësishëm, procesin e konsultimit kombëtar, ku kanë marrë pjesë 500 mijë qytetarë shqiptarë të cilët janë përgjigjur në 60% të tyre PO kësaj amnistie, e cila kryesisht ka për synim legalizimin e parave të ardhura nga emigracioni. Megjithatë, edhe njëherë unë duhet ta theksoj se gjatë të gjithë këtij procesi do të merren parasysh rreziqet që lidhen me këtë proces që kanë kaluar në mënyrë të përsëritur në disa nga vendet e BE pasi nuk e kemi shpikur ne rrotën, as është një shteg i pashkelur më parë, ne zakonisht për të gjitha politikat tona i referohemi praktikave të tjera që kanë ndodhur sidomos në vendet e BE. Kështu që e garantojmë ambasadoren dhe Komisionin që ky do të jetë një proces i cili do të vazhdojë konsultimin dhe nuk do të qëndrojmë pa i marrë parasysh gjetjet dhe pa i lexuar ashtu siç duhet të gjitha shqetësimet e Komisionit”, deklaroi Balluku.
Sa i përket “pasaportave të arta”, zv/Kryeministrja u shpreh se kjo nismë është ende një draft në konsultim që është marrë si praktikë nga vendet e BE-së.
“Skema për dhënien e nënshtetësisë për investuesit nuk është finalizuar deri më sot, është akoma një draft dhe ju siguroj që për këtë program i jemi referuar thjesht dhe vetëm praktikave të vendeve të tjera të BE të cilat sot e kësaj dite i kanë këto programe nën proces, vazhdojnë dhe i aplikojnë dhe ne i jemi referuar atyre për çfarë i sjellin vendit dhe për çfarë benefitesh kanë marrë duke u bazuar në eksperiencat më të mira të këtyre vendeve evropiane”, deklaroi zv/Kryeministrja Balluku.
Belinda Balluku garantoi se për këtë draft do të merren në konsideratë të gjitha gjetjet dhe sugjerimet e bëra në progres-raport nga Komisioni Europian.
Balluku: Shqiperia nuk e ka shpikur inceneratorin, perdoren ne cdo vend te Europes
Pasi ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Christiane Hohman i dorëzoi zv/Kryeministres Belinda Balluku raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ato kanë zhvilluar një konferencë me gazetarët.
E pyetur në lidhje me “një nga kapitujt e progres-raportit kur thuhet se politikat e qeverisë për incenerimin bien në kundërshtim me strategjinë europiane për mjedisin dhe riciklimin, se pse vazhdohet që të paguhet akoma për këto projekte”, ministrja Ballaku është shprehur se “inceneraorët nuk janë një shpikje e Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku ka theksuar se “inceneratorët përdoren në çdo vend të Europës dhe përdoren si pjesë e riciklimit, e ndarjes të të gjitha mbetjeve dhe të incenerimit të tyre”.
Pyetje: Në një nga kapitujt e progres-raportit flitet dhe për mjedisin dhe thuhet shprehimisht se politikat e qeverisë shqiptare për incenerimin bien në kundërshtim me strategjinë europiane për mjedisin dhe riciklimin, por ndërkohë ju keni paguar miliona euro për inceneratorët dhe këto para janë zhdukur dhe personat që i kanë kontraktuar këto janë në kërkim nga drejtësia. Pse vazhdoni akoma të paguani akoma për këto projekte që bien dhe në kundërshtim me legjislacionin europian?
Belinda Balluku: Përsa i përket projekteve, drejtësia bën detyrën dhe në Shqipëri ka nga 2013 që drejtësia dhe qeveria i kanë rrugët e ndara. Ne nuk ndërhyjmë kurrë në vendimet e drejtësisë. Nuk e kemi bërë kurrë dhe nuk do ta bëjmë dhe madje nxisim drejtësinë që të marrë në shqyrtim të gjitha ato çështje që kanë dritëhije dhe që duhen shqyrtuar. Pra, është një çështje tjetër përsa i përket drejtësisë dhe inceneratorëve. Përsa i përket qeverisë shqiptare dhe mjedisit, progresi që qeveria shqiptare ka bërë në çështjet e mjedisit në 9 vitet e fundit janë të pakrahaueshme me të gjithë progresin e bërë në rajon.
Përsa i përket incenerimit, edhe njëherë, Shqipëria nuk e ka shpikur inceneratorin. Nëse patentën e inceneratorëve do ta mbante Republika e Shqipërisë, do të kishim bërë emër, por nuk e kemi shpikur ne. Inceneratorët përdoren në çdo vend të Europës dhe përdoren si pjesë e riciklimit, e ndarjes të të gjitha mbetjeve dhe të incenerimit të tyre.
Raporti për Shqipërinë, Balluku: Sukses i institucioneve tona
Pozitive i ka cilësuar zëvendëskryeministrja Belinda Balluku gjetjet e raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë
Në konferencën për mediat së bashku me ambasadoren e BE Christiane Hohmann, Balluku theksoi se raporti ka vlerësuar punën e Shqipërisë për reformat si dhe luftën kundër korrupsionit.
“Raporti për Shqipërinë vazhdon të konfirmojë progres të mirë në zbatimin e reformës së saj gjithëpërfshirëse në drejtësi. Raporti konfirmon gjithashtu arritje në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, është shprehur Balluku.
Balluku konfirmoi se Shqipëria do të miratojë amnistinë fiskale si dhe të ashtuquajturat pasaportat e arta, pavarësisht raportit të Komisionit Europain dhe kundërshtive të ndërkombëtarëve.
“Draftet për amnistinë fiskale duhet të keni parasysh që dhe vlerësimi që vjen në raport është një vlerësim hipotetik. Përsa i përket Golden Passport është sërish një vlerësim hipotetik. Për këtë program i jemi referuar thjesht dhe vetëm praktikave të vendeve të tjera të Bashkimit Europian”, ka thënë Balluku.
Për këto dy nisma, ambasadorja e BE ka qendrim ndryshe.
“BE respekton sovranitetin e secilit shtet për të vendosur se çfarë skema do të ketë për dhënien e nënshtetësisë, por kjo lloj skeme do të vinte në pah disa rriske që janë shprehur qartë në rajon. KE sugjeroi që shtetet t’i jepnin fund dhënies së nënshtetësisë në këtë lloj forme. Secili vend duhet të vendosë vetë se si do të vazhdojë në këtë çështje. Përsa i përket amnistisë fiskale ne po vijojmë bisedimet”, ka thënë Ambasadorja e BE Christiane Hohmann.
Në raportin e publikuar nga Komisionit Europian, korrupsioni vijon të konsiderohet një shqetësim serioz, ndërsa vendi paralajmërohet se nismat për amnistinë fiskale dhe të “pasaporta të arta” rrezikojnë të bien ndesh me normat e Bashkimit Evropian.
https://www.facebook.com/bballuku/videos/534609108665260
tv6+1vlora
Discussion about this post