Fredi Beleri pritet të marrë sot lejen për të qenë i pranishëm në mbledhjen e Parlamentit Europian, ku do të bëhet edhe betimi si eurodeputet.
Komisioni i lejeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve do të mblidhet ditën e sotme për të përcaktuar modalitetet e sigurisë të udhëtimit.
Sipas shkresës së siguruar nga ReportTV, Beleri i ka kërkuar Drejtorisë së Burgjeve leje 7 ditore.
“Bazuar në nenin 72 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, kërkuesi plotëson kushtet për të përfituar leje shpërblyese deri në 20 ditë në vit, të drejtë të cilën nuk e ka ushtruar asnjëherë.
Gjithashtu si anëtar i Parlamentit Europian, i gjykuari Dhionisios Alfred Beleri është njoftuar nga Parlamenti Europian se duhet të jetë i pranishëm në Sesionin që zhvillohet në Strasburg, Francë në datat 15-20 Korrik 2024.
“Kërkuesi ka kryer më shumë se 5/6 e masës së dënimit të caktuar, sipas nenit 72/2 të ligjit nr. 81/2020, plotëson kushtet e nenit 72/1 të ligjit nr. 81/2020, nuk ka marrë asnjëherë leje shpërblyese, dhe duke qënë se bazuar në këtë nen, Ju, me cilësine e drejtuesit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, keni kompetencën e shqyrtimit, Ju drejtohet me kërkesë për dhënien e Lejes Shperblyese, me kohëzgjatje deri në 7 ditë, me qëllim që të kryejë angazhimet e detyrueshme të tij me cilësine e Anëtarit të Parlamentit Europian, të marrjes pjesë në Asamblenë e Parlamentit Europian në Strasburg Francë nga datat 15-20 korrik 2020″, thuhet në kërkesën e Fredi Belerit.
Sakaq, sipas mediave greke mësohet se ish-kryebashkiaku i Himarës do të fluturojë mëngjesin e së hënës për në Athinë dhe më pas do të shkojë në Strasburg.
Ai pritet të mbërrijë në Eleftherios Venizelos në orën 12:30 dhe më pas do të shkojë në Strasburg për të marrë detyrën si deputet i Parlamentit Europian.
Ndër të tjera kjo media, referuar burimeve qeveritare, bën me dije se leja për Belerin është një zhvillim i rëndësishëm dhe ish-kryebashkiaku është i kënaqur që do të marrë pjesë në punimet e Parlamentit Europian.
Fredi Beleri ditë më parë iu drejtua me një kërkesë Drejtorisë së Burgjeve që t’ i jepnin leje që ai të jetë i pranishëm në mbledhjen e parë të eurodeptuetëve të Parlamentit Europian.
Beleri kërkoi që të shkojë në Bruksel në datat 15 deri më 20 korrik, për të përfaqësuar vendin e tij si eurodeputet i dalë nga zgjedhjet e fundit.
Fredi Beleri hyri në zgjedhjet e Parlamentit Europian si kandidat për deputet, nën siglën e partisë greke Demokracia e Re. Ishte kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ai që hodhi kandidaturën e tij. Ish-kryebashkiaku i Himarës arriti që të fitoi një numër të konsiderueshëm votash, duke u bërë kështu eurodeputeti i parë që fiton zgjedhjet duke qenë në burg dhe pa bërë fushatë.
Duhet të theksojmë se Athina Zyrtare e ka konsideruar të jashtëligjshëm dhe politik arrestimin e Fredi Belerit nga autoritetet shqiptare, në maj të vitit të shkuar nën akuzën për blerje votash.
Ndonëse ai u vendos në pranga, Beleri fitoi zgjedhjet për kryetar Bashkie në Himarë. Të premten e 5 korrikut, KQZ vendosi që t’i heqë mandatin e kryebashkiakut, në përputhje me ligjin e dekriminalizimit, pasi GJKKO e kishte dënuar më parë me dy vite burgim.
Discussion about this post