Zbret në Këshillin Bashkiak të Vlorës, pas trembëdhjetë muajve zhvillim dhe zbatim të aktiviteteve, nismë kjo e mbështetur nga Lëviz Albania, si një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, zbatuar nga tre organizata: “Milieukontakt Shqipëri”, “Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit” dhe organizata lokale e qytetit të Vlorës “Gjelbërimi 2000”. Përfaqësuesi i “Milieukontakt Shqipëri”, z. Arion Sauku dhe Eksperti i mjedisit z. Meivis Struga, ishin përpara këshilltarëve, në datën 30 Nëntor 2022 ku prezantuan draft planin e veprimit për ndotjen akustike në qytetin bregdetar, i cili është diskutuar dhe hartuar në bashkëpunim me Bashkitë e Vlorës dhe atë të Himarës.
Arion Sauku, para Këshilltarëve Bashkiakë të Vlorës ka prezantuar sesi është zhvilluar nisma përgjatë një viti kalendarik dhe mjetet e të dhënat që janë përdorur për hartimin e draft planit të ndotjes akustike në nivel bashkie. Puna ka nisur me një memorandum bashkëpunimi mes bashkive dhe organizatat zbatuese të projektit. Memorandumi është firmosur nga titullarët dhe pas këtij procesi është vijuar me takimet në terren, diskutime dhe këshillime të aktorëve të interesuar mbi monitorimin e ndotjes akustike. Po ashtu z. Sauku përgjatë fjalës së tij ka theksuar që ky draft plan veprimii përgatitur mund të zhvillohet edhe më tej nga stafi i Bashkisë së Vlorës, si një plan menaxhimi final. “Unë dua t’iu rikujtoj se që nga viti 2007 ligji për ‘vlerësimin dhe administrimin e zhurmave’, detyron Njësitë e Qeverisjes Vendore që të kenë planet e menaxhimit të zhurmave dhe në bazë të tyre të merren masa dhe rekomandime si dhe rregulloret përkatëse”, tha Sauku.
Eksperti i mjedisit, Meivis Struga, në takim prezantoi draft-planin ndërsa theksoi se metodologjia e ndjekur ka kaluar në tri faza kryesore. “Në bazë të planeve që vijnë nga monitorimi i zhurmave duhet që të merren një sërë masash për reduktimin e zhurmave kryesisht në akset kryesore ku ka edhe një ekspozim më të lartë se normat e lejuara. Ne si qëllim kemi pasur të angazhojmë qytetarët dhe të rinjtë në këtë proces. Nuk është monitorim i zhvilluar në mënyë spontane. Ai flet edhe për rezultatet e monitorimit, duke përmendur zonat më problematike sa i përketë zhurmave në Vlorë. “Nga pyetsorët me qytetarët kemi parë se kryesisht rruga ‘Transballkanike’ është me nivelin më të lartë të zhurmave, aksi rrugor i ‘Pashalimanit’, aksi rrugor ‘Vlorë-Skelë’, zona e ‘Lungomares’, lagjet: ‘Centrale’, ‘Partizani’ dhe ‘Sheshi i Flamurit’. Monitorimi i zhurmave është bërë përgjatë dy muajve, në gusht dhe në shtator, në ditë të javës dhe në fundjavë”, deklaroi Struga. Eksperti i mjedisit, Meivis Struga, thekson edhe disa rekomandime që adresohen në mënyrë të thelluar dhe të detajuar. Me rëndësi është përgatitja e një plani vendor të menaxhimit si dhe përgatitja e një procesi për hartëzimin e zhurmës. Këshilltarët bashkiakë të Vlorës kanë vlerësuar këtë projekt të rëndësishëm. “Bëni zhurmë” kundër zhurmave. Kjo është motoja ndërsa synohet që këto problematika të adresohen nga projekti: “Monitorimi i ndotjes akustike në zonat bregdetare Bashkia Vlorë dhe Himarë” mbështetur nga Lëviz Albania.
Discussion about this post