Në protestën e opozitës pasditen e të enjtes, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e shpalli armik Kryeministrin Edi Rama.
Sot, në një bashkëbisedim me gazetarët, Sali Berisha sqaroi përse e shpalli Ramën armik.
Sipas tij janë dy arsye, por kryesorja është vota e munguar e qytetarëve, për të cilën Sali Berisha akuzon Kryeministrin Rama si “armik të votës”.
“E para për monizmin që vendosi. Monizmin e rrëzuam në vitet ’90, e kishin etërit e Edi Ramës, monizmin e ktheu Edi Rama në vitet 2021-2022. Monizmin Edi Rama e ktheu duke rrëmbyer votën e shqiptarëve, duke i marrë votat me patronazhistët, duke i armatosur ata si terroristë të kuq me të dhënat personale të qytetarëve. Ai rrëmbeu votat me thasë Eurosh me banda, me gjak, me votat e Taulant Ballës është gjaku i Pjerin Xhuvanit. Edi Rama vendosi monizmin që ne rrëzuam në vitet ’90, por në qoftë se ka fatkeqësi supreme për një komb është monizmi, qoftë ai ideologjik, fetar, qoftë ai i bazuar në krim dhe drogë siç është ky i sotmi. Edi Rama do të trajtohet si armik i votës së lirë dhe kurrë nuk do mund të prekë më votën e shqiptarëve. Kjo është e prerë me çdo çmim. Shqiptarët do votojnë të lirë. Gaboi shumë shumë rëndë. Edi Rama është sot 25 vjet në pushtet. Nuk i ka prekur kush kurrë 1 votë të vetme.
Së dyti, Edi Rama mori pushtetin nga ata që ishin në pushtet dhe që kishin gjithsej 48% të pushteteve në vend. Lulzim Basha bëri gabim të madh, por Edi Rama e deshi këtë. Edi Rama është demon pushteti. Nuk njeh model tjetër vetëm modelin e etërve të tij. Pushtetin e përdor për vjedhjet e tij të pandalshme, i pangopur dhe mjerimin e qytetarëve. Në qoftë se e kam shpallur dje, e kam shpallur për votën. O do votojnë shqiptarët, ose e ardhmja e tyre nuk ekziston. Ky është armik i egër i shqiptarëve dhe lirive të tyre, ky duhet të ikë dhe do ikë”, tha Sali Berisha.
Discussion about this post