Më përfundimin e pandemisë Covid -19 dhe heqjen e masave kufizuese çmimet e mallrave, sidomos ato të transportit nisën të rriten në 6-mujorin e dytë të vitit 2021.
Kërkesa pas pandemisë dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit ushtruan presion në rritjen e çmimeve, duke shtrenjtuar kostot në të gjitha aktivitet ekonomike edhe në vendin tonë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, në vitin 2021 shpenzimet e bizneseve për materiale dhe lëndë të para u zgjeruan me 27 për qind në krahasim me vitin pandemik 2020 dhe gati 18 për qind në krahasim me vitin 2019. Të gjitha bizneset shpenzuan 991 miliardë lekë për blerjen e lëndëve të para me 2021 nga 778 miliardë që shpenzuan me 2020 dhe 836 miliardë me 2019.
Bizneset e ndërtimit kryen shpenzimet më të mëdha për blerjen e materialeve, me rreth 223 miliardë lekë ose 22% të totalit të shpenzimeve të bizneseve në këtë zë. Shpenzimet për lëndë të para në sektorin e ndërtimit pësuan rritje vjetore me 27% gjatë 2021.
Shpenzimet për materiale të bizneseve u rriten kryesisht për dy arsye. E para lidhet me çmimet më të larta të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare dhe e dyta me volumin më të madh të blerjeve pas pandemisë.
Siç shihet nga grafiku bashkëngjitur rritja e shpenzimeve për lëndët e para ishte më e larta gjatë vitit 2021 së paku që nga viti 2010. Përgjatë dekadës së fundit shpenzimet e bizneseve për lëndë të para janë rritur mesatarisht me 6 % në vit gjatë periudhës 2010-2020, ndërsa në vitin 2021 rritja ishte 27%.
Rritja me lartë u reflektua në bizneset që operojnë në tregtinë dhe riparimin e automjeteve me 112 për qind.
Bizneset që kanë në themel aktivitetin me metal dhe produkte metalike rriten shpenzimet për blerjen e materialeve me 64 % në vitin 2021 si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të hekurit.
Në bizneset e informacionit shpenzimet për furniturën e lëndës së parë u rriten me 70 % më 2021, ndërsa për subjektet në aktivitetin energjisë shpenzimet u rritem me 72%.
Në të kundërt shpenzimet për blerjen e lëndëve të para u ulën në një seri aktivitetesh. Në tregtinë me pakicë u ulën me 11%, shërbime profesionale me 37%. Agjencitë e udhëtimit me 40%, fabrikat e lëkurëve dhe këpucëve me 17%.
Rritja e shpenzimeve për lëndë të para në një pjesë të madhe u diktua nga çmimet më të larta në tregjet ndërkombëtare, duke u reflektuar një vit më vonë (2022) në rritjen e çmimeve në artikujt e konsumit edhe në vendin tonë.
Discussion about this post