Udhëtimet me avion charter të Edi Ramës, të dala nga hakerat që kanë sulmuar sistemin TIMS, kanë nxitur kryeministrin të përdorë një gjuhë të ashpër për t’u mbrojtur, ndërsa opozita i ka përdorur si argument për të sulmuar qeverinë.
Deputeti demokrat Luçiano Boçi, në një deklaratë për shtyp, tha se Rama, “i kapur ngushtë, fut në përdorim gjuhën e ashpër dhe sharjet, a thua se gjuha do ta shpëtojë nga ajo që i bën mendja, për hir të tekave kryeministrore”.
“137 fluturime ka kryer zotëria, dy herë më shumë se ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush që, në dy mandate, ka kryer 74 fluturime me Air Force One. Njeriu më i fuqishëm i botës ka kryer dy herë më pak fluturime në dy mandate se lideri më i pafuqishëm i Europës”.
Sipas Boçit, kryeministri është shkëputur nga realiteti dhe hallet e popullit të vet.
“Kot e ka që na tregon atë shumën e harxhuar për fluturimet me çarter. Nuk e ha njeri. Edhe furgoni i linjës Kafe Europa-Surrel të kishte qenë, do të kishte kushtuar më shumë. Por jemi mësuar me shuma të tilla, si në rastin e vilës në Surrel, pallatit në Tiranë dhe të ardhurave nga pikturat dhe Kurbani”.
Kryeminstri Rama iu përgjigj akuzave të opozitës nga Peshkopia, ku vazhdon takimet me banorët e zonës.
“Rrenë e ligë, një turmë që nuk meriton respekt, nuk meriton të dijë të vërtetën. Vazhdon dhe sot sepse është një pjesë e njerëzve që janë gati të përdoren dhe ta hanë rrenën me qejfin më të madh”.
Ndërsa me herët, kryeministri përdori rrjetin social “Twitter” për të thënë se ka bërë një marrëveshje të favorshme me “Air Albania-n” dhe udhëtimet e tij kanë kushtuar dy herë më pak se udhëtimet e ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Pra në 2 vite e 9 muaj të përdorimit të avionit promocional Albania me një marrëveshje të favorshme me Air Albanian, udhëtimet e mia u kanë kushtuar taksapaguesve më pak se gjysma e udhëtimeve të shpifarakut më të ulët në historinë e Shqipërisë,kur fatkeqësisht ishte kryeministër!
Shpenzimi mesatar vjetor i Kryeministrit për udhëtimet jashtë: 2008- 261.023 Lek të reja, 2022- 120.459 Lek të reja”.
Discussion about this post