Për herë të parë pas gati dy muajsh Bordi i transparencës ka vendosur që të rrisë çmimin e karburanteve, ndonëse në bursa nafta vijon të mbetet më pak se 90 dollarë për fuçi, në nivele të ngjashme me shkurtin, përpara se të fillonte shtrenjtimi i ndjeshëm si rrjedhojë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Sipas vendimit të Bordit, një litër naftë do të tregtohet me 214 lekë, nga 206 lekë që ishte deri tani.
Benzina do të tregtohet me 195 lekë, nga 191 lekë që ishte deri tani.
Në krahasim me shkurtin, kur ishte rreth 185-190 lekë, nafta në vend është gati 15% më e shtrenjtë në tregun vendas.
Aktorët e tregut pohojnë se nafta ka mbetur më e shtrenjtë, ndonëse në bursa ka rënë në nivelet e parakrizës për disa arsye:
-Së pari, dollari është rritur, duke arritur deri në 116 lekë, nga 108 lekë që ishte në shkurt, ndonëse së fundmi ai është nënçmuar sërish duke zbritur në rreth 110 lekë.
-Së dyti, ndryshimet në zinxhirin e furnizimit kanë shtrenjtuar kostot e transportit.
-Së treti, fiksimi i çmimeve nga Bordi i Transparencës në vend që të ndikonte pozitivisht ka dhënë efektin e kundërt, duke i mbajtur çmimet artificialisht të larta. Sipas Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, nëse operatorët do të ishin të lirë të vendosnin për çmimet, secili prej tyre do ta merrte vetë rrezikun dhe do të bënte blerje më afatgjata, në momentet që vlerësonte se çmimet në treg kishin arritur një pik minimal, siç ndodhi dhe ditët e fundit kur nafta zbriti në rreth 83 dollarë për fuçi (shiko grafikun: Ecuria e naftës në bursat ndërkombëtare gjatë vitit të fundit, treguesi Brent). Kjo do ta shtynte në kohë reflektimin e shtrenjtimit të naftës në bursat ndërkombëtare.
“Ndërhyrjet e Bordit janë më të dëmshme sesa të lihej tregu të funksionojë në konkurrencë. Kompanitë nuk mbyllin dot blerje për afate më të gjata, pasi luhatjet e shpeshta të çmimit nga bordi vetëm sjellin dëme, duke bërë që shoqëritë të mos mbajnë rezerva, pasi do të detyroheshin të shisnin me humbje, përsa kohë që çmimet fiksohen nga Bordi”
Discussion about this post