Buletini Mujor Klimatik i Institutit të Gjeoshkencave, në edicionin e muajit Shtator 2023, shkruan: Muaji shtator, si një tejzgjatje e stinës së verës në vitet e fundit, edhe këtë vit nuk bëri përjashtim. Temperaturat e larta vijuan të ishin të pranishme. Muaji shtator 2023 rezultoi muaji më i ngrohtë në shkallë globale, me një vlerë prej 16.38°C ose +0.93°C më të lartë se mesatarja e periudhës 1991-2020. Edicioni i muajit Tetor, thekson: Nga pikëpamja agrometeorologjike, muaji tetor 2023 ishte më shumë një vijimësi e muajit shtator. Në seksionin Agrometeorologji, Buletini i muajit dhjetor veren: Muaji dhjetor 2023 shënoi në pjesën më të madhe të vendit mbarimin e periudhës së vegjetacionit, për shkak të uljes së temperaturave nën 10°C.
Pra, në mes të dhjetorit, më në fund erdhi vjeshta – thuhet në një koment të këtij instituti.
Ndryshimet klimatike po e modifikojnë marrëdhënien e njeriut me natyrën. Shqipëria është në hartën e vendeve ku këto ndryshime janë të dukshme. Sistemi i reshjeve ka ndryshuar, vera është më e thatë, më e nxehtë dhe më e gjatë, ndërsa dimri më i butë. Ka një debat ende të pashteruar mbi shkaktarët e ndryshimit të klimës dhe ngrohjes së planetit, por sfida më e madhe sot është përshtatja me këto kushte të reja. Në një cikël artikujsh po trajtojmë situatën në disa sektorë që ndikohen drejtëpërdrejtë nga ndryshimet e klimës. Në artikullin e mëposhtëm trajtohet sektori bujqësisë, si më i ndjeshmi dhe më i rrezikuari nga ndryshimet e klimës.
Shkaqet dhe pasojat e ndryshimeve klimatike
Pse duhet të veprojmë tani? Ndryshimi i klimës është tashmë një realitet. Ndryshimet klimatike janë çështja përcaktuese e kohës sonë dhe ne jemi në një moment përcaktues. Nga ndryshimi i modeleve të motit që kërcënojnë prodhimin e ushqimit, tek rritja e nivelit të detit që rrisin rrezikun e përmbytjeve katastrofike, ndikimet e ndryshimeve klimatike janë në shtrirje globale dhe në shkallë të paprecedentë. Aktivitetet e përditshme njerëzore maksimizojnë efektin serë, duke bërë që temperatura e planetit të rritet edhe më shumë. Ndryshimet klimatike destabilizojnë ekuilibrin e temperaturës së Tokës dhe kanë efekte të gjera mbi qeniet njerëzore dhe mjedisin.
Ato shkaktojnë:
* Rritjen e temperaturave maksimale dhe minimale
* Shkrirjen e akullnajave dhe rritja e nivelit të oqeaneve
* Ngrohjen e oqeaneve
* Shtimin e rreshjeve të mëdha (shi i dendur dhe breshër)
Pasojat indirekte të ndryshimeve klimatike, të cilat prekin drejtpërdrejt njerëzit dhe mjedisin tonë:
*Rritje e krizave të urisë dhe ujit, veçanërisht në vendet në zhvillim
*Rreziqet shëndetësore nëpërmjet rritjes së temperaturave të ajrit dhe valëve të të nxehtit
*Përhapja në rritje e dëmtuesve dhe patogjenëve
*Humbja e biodiversitetit për shkak të përshtatshmërisë së kufizuar së florës dhe faunës
Ndryshimet e klimës në territorin e Shqipërisë
Ndryshimet klimatike në nivel botëror janë globale dhe Shqipëria është nën ndikimin e këtyre ndryshimeve. Shqipëria bën pjesë në pellgun e Mesdheut i cili është vlerësuar si një nga rajonet me nivelet më të larta të prekshmërisë si përsa i takon shpërndarjes së rreshjeve ashtu edhe dukurive ekstreme klimatike. Në këtë kontekst, lind nvoja që edhe në Shqipëri të bëhen studime më të thella për të gjitha aspektet që i përkasin ndryshimeve të klimës e sidomos për sektorë të ndjeshëm siç është bujqësia. Ndryshimet klimatike në Shqipëri janë vrojtuar nga fundi i viteve ‘90, por është dimri i vitit 1997 pas të cilit, ndryshimet e klimës sa vijnë dhe bëhen më të shpeshta dhe më të qarta. Në tërësi, dekada e parë e këtij shekulli na përballi me disa ngjarje të motit ekstrem të natyrave të ndryshme si vale nxehtësie, përmbytje gjatë muajve të vjeshtës dhe pranverës, periudha me ngrica dhe temperature ekstremisht të ulëta apo zjarre në pyje për shkak të thatësirave gjatë verë-vjeshtës. Ndryshimet klimatike u bënë më të theksuara gjatë dekadës së dytë 2010 -2020, dekadë e cila filloi me përmbytjet e Shqipërisë Veriore. Zona të ndryshme urbane u përballën me përmbytje të izoluara nga viti në vit deri në shkurtin e vitit 2015 kur një tjetër përmbytje e përmasave masive rrezikoi jetën dhe pasurinë e banorëve nga Fieri deri në Gjirokastër. Një stuhi e natyrës tropikale përfshiu Shqipërinë nga Veriu në Jug duke regjistruar rreshje mbi 200 mim në 24 orë, rreshje këto më të larta se sasitë e rreshjeve mujore për shumicën e zonave perëndimore dhe jugore.
Është pikërisht kjo dekadë që përmban dhe 5 vjeçarin më të nxehtë në historinë e matjeve klimatike; vitet 2015 – 2019 janë vitet më të nxehta në historinë e matjeve, jo vetëm në Shqipëri dhe rajon, por edhe në të gjithë globin. Gjatë këtij 5-vjeçari, muajt e verës shënuan temperatura shumë të larta dhe spikat viti 2016, si viti me temperaturat më të larta, ku piku i nxehtësisë në qytete si Shkodra, Elbasani, Berati dhe Gjirokastra, kapërcyen temperaturën prej 43 gradë Celsius.
Ndryshimet në regjimin e rreshjeve
Përsa i takon regjimit të rreshjeve, për rajonin e Mesdheut, skenarët globalë parashikojnë rënie të sasisë së rreshjeve. Megjithatë, nga analizimi i ecurisë së rreshjeve në Shqipëri shikohet që ka pasur një luhatje rreth vlerave normale (1961-1990), periudhë gjatë së cilës nga viti 1951-1980 ka pasur një rritje me 40% më shumë se vlerat normale, një periudhë me thatësi nga 1981-2000 me 45.3% nën vlerat normale dhe një rritje të rreshjeve nga viti 2000. (Third National Communication of the Republic of Albania, Climate Change –UNFÇC-, 2016)
Efektet e ndryshimeve të klimës mbi bujqësinë
Sektorët e bujqësisë, duke përfshirë prodhimin bimor, blegtorinë, pylltarinë dhe peshkimin, janë shumë të varur nga stabiliteti i klimës. Rritjet e temperaturës çojnë në një sërë pasojash që prekin të gjithë ekosistemet dhe aktivitetet njerëzore. Reshjet po bëhen më të ndryshueshme dhe të pa parashikueshme. Kjo mund të shkaktojë mungesa uji, përmbytje dhe thatësira më të shpeshta.
Prodhimi bujqësor do të ndikohet nga:
– thatësira, pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës së rreshjeve në periudhën e vegjetacionit;
– valët e të nxehti (ditë dhe netë më të ngrohta),
– ndryshimi i modelit të rreshjeve (rreshje më të rënda, përmbytje, erozion të tokës dhe degradim),
– moti ekstrem dhe thatësira (shkretëtirëzim).
– rritja e nivelit të detit,
– rritja e frekuencës së ngjarjeve ekstreme,
– rritja e frekuencës së sëmundjeve dhe dëmtuesve në bujqësi e blegtori.
Ndikimet klimatike janë shumë specifike për vendndodhjen, disa nga efektet e mundshme të ndryshimeve klimatike në bujqësi përfshijnë: Rritja e ndryshueshmërisë së ngjarjeve të motit dhe klimës: p.sh. ndryshimet në sezonale te rreshjeve, variacione të larta të rreshjeve si periudha më të gjata të thata, temperatura më të larta ose më të ulëta, valë të nxehti etj. Ndryshimet në kohën e stinëve: p.sh. disa zona po dëshmojnë një ardhje më të hershme të pranverës që ndikojnë periudhat e mbjelljes dhe stinët e lagështia fillojnë vonë ose mbarojnë herët.
Për shkak të ndryshimit të kushteve klimatike ka rritje edhe të shfaqjes së sëmundjeve dhe dëmtuesve në bujqësi. Në kushtet e lagështisë së tepërt favorizohen sëmundjet kërpudhore që dëmtojnë prodhimin; thatësirat në verë sjellin një numër më të madh të insekteve dhe dëmtuesve të ndryshëm duke dëmtuar cilësinë por edhe sasinë e prodhimit.
Bimët
Modelet e prodhimit vlerësojnë një rënie mesatare të rendimentit prej rreth 33% deri në vitin 2050. Në rajonet me klimë të butë dhe të temperuar, temperaturat dhe reshjet mund të dëmtojnë prodhimin dhe të ulin rendimentet, duke paraqitur sfida serioze për fermerët.
Blegtoria
Efektet e ndryshimeve klimatike në blegtori kombinojnë efektet e drejtpërdrejta në produktivitetin dhe shëndetin e kafshëve dhe mbi sasinë dhe cilësinë e kullotave dhe ushqimit të kafshëve. Temperaturat më të larta shkaktojnë stresin e nxehtësisë dhe i bën kafshët më pak rezistente ndaj patogjenëve. Mund të rezultojë gjithashtu në ndryshime në shpërndarja e sëmundjeve. (FAO, 2016).
Pasojat në bujqësi
Ulje e prodhimit bujqësor (sasi/cilësi); Përmbytje e tokave dhe prodhimeve; Kërkesë e shtuar uji për ujitje; Dëmtim të tokës (erozion, rrëshqitje, ulje e pjellorisë, kripëzim); Rritje të sëmundjeve, dëmtuesve dhe barërave të egra; Rritje të stres-it tek blegtoria
Bujqësia në Shqipëri
Nga studimet e kryera vrojtojmë tri dukuri në lidhje me trendin e ndryshimeve klimatike në Shqipëri:* Temperatura mesatare është duke u rritur. Temperaturat e dimrit janë rritur gati dy herë më shpejt se sa temperatura mesatare vjetore. Temperaturat minimale (gjatë natës) janë rritur më shpejt se sa temperaturat maksimale. Dukuri kjo që dëmton dukshëm bimët në lidhje me termoperiodizmin (sidomos të lashtat në zonën fushore të Shqipërisë).
* Shpërndarja e rreshjeve në Shqipëri është duke ndryshuar: Po verifikohen rreshje më shumë të përqëndruara dhe më shumë intensive. Kjo përbën mundësi potenciale për rritjen e përmbytjeve. Ditët me lagështi relative e ajrit janë rritur dhe kjop favorizon dukshëm përhapjen e patogjenëve, sidomos te bimët perimore.
Arsyet pse bujqësia është me e prekshme:
• Rritja e temperaturave
• Rënia të niveli të rreshjeve
• Shtimi i ngjarjeve ekstreme të motit
• Përhapja e sëmundjeve dhe dëmtuesve,
• Kripëzimi i tokave
• Mungesa e kapaciteteve përshtatëse (financiare dhe teknike)
Prevalenca e dëmtuesve dhe sëmundjeve
Ndryshueshmëria dhe ndryshimet klimatike përkeqësojnë shfaqjen e dëmtuesve dhe sëmundjeve të bimëve, që shkaktohen nga temperatura, rreshjet dhe lagështia e tokës. Prodhimi blegtoral mund të jetë prekur nga kërcënimet e shtuara nga dëmtuesit dhe sëmundjet, duke përfshirë ato që ndikojnë në bimët foragjere si para korrjes ashtu edhe në ruajtjen e tyre.
Prej vitit 2022, në pjesën më të madhe të territorit të vendit, një dëmtues që nuk njihej më parë po shkatërron masivisht prodhimin e hurmës. Në mesin e muajit tetor, frutat kalben në mënyrë të beftë, brenda pak ditësh, duke krijuar imazhin e një pjekjeje të parakohshme. Sipas specialistëve, “një flutur lëshon larvat e saj pak para pjekjes së frutit duke shkaktuar dëmtimin e tij masiv”. Gjatë vitit 2022, projekti Green-Al që zbatohet nga Co-Plan, mbështeti organizatën Forumi i Mendimit të Lirë për një studim mbi pasojat e ndryshimit të klimës në sektorin e bujqësisë. Një vëzhgim i udhëhequr nga profesori i Universitetit Bujqësor të Tiranës Albert Kopali, zbuloi disa anomali që nuk janë vërejtuar të paktën para një dekade. Në zonën bujqësore Lushnje-Fier, vërehet shfaqja dhe përhapja e dëmtuesve të rinj në sera, si Tenja e Domates, që e ka origjinën nga Afrika Veriore. Vërehet shfaqja e disa sëmundjeve tek perimet, të cilat nuk luftohen me pesticidet ekzistuese. Fermerët në tërësi ankohen për eficensën e ulët të pesticideve tek dëmtuesit dhe sëmundjet. Në disa zona të tjera fermerët janë përballur me dështime të prodhimeve si në perime, drithëra dhe pemë frutore. Shkaku ka rezultuar mospërshtatja e farërave dhe fidanëve me kushtet specifike klimatike të zonës ku ato janë mbjellë.
Prekshmëria e sistemeve dhe hartimi i strategjive të përshtatjes
Përshtatja nënkupton futjen dhe zbatimin e masave që kundërshtojnë prekshmërinë e sistemeve ndaj ndryshimeve klimatike. Politikat dhe masat e vetme mund të hartohen për të ndihmuar në trajtimin e zbutjes dhe përshtatjes. Megjithatë, jo në çdo rast, veprimet përshtëse janë të mundura të realizohen, ato kërkojnë organizimin e një strategjie për zbatimin e tyre. Kjo strategji duhet të jetë në përshtatje me masën e prekshmërisë duke qënë se ajo duhet të minimizojë efektin e saj. Prandaj në hartimin e strategjive përshtatëse duhet studiuar e marrë mirë në konsideratë se sa sistemi është i prekshëm nga ndryshimet klimatike.
Disa nga masat për minimizimin e pasojave të dëmshme të parashikuara:
Masat përshtatëse në nivelin e fermës
• Përmirësimi i varieteteve të bimëve (më shumë rezistentë ndaj thatësirës, sëmundjeve etj)
• Përmirësimi i ujitjes (ekonomizimi i përdorimit të ujit – teknologjisë së ujitjes)
• Praktika të mira agronomike (plehërimi, punimi i tokës, qarkullimi i bimëve etj.)
• Përmirësim rracor në blegtori, përmirësim i mbarështimit të blegtorisë.
• Informimi i fermerëve (moti; optimizimin e kohës se mbjelljes, ujitjes, punimeve, mbrojtja etj).
• Skema mbështetëse
• Skemat siguruese
Masa përshtatëse në drejtim të menaxhimit të ujit
• Të përmirësojmë sistemet e ujitjes
• Të përdorin materialet plastike për përcjelljen e ujit në fusha
• Të zgjerojmë zonat e ujitura (shtimi i kapaciteteve të reja ujitëse, ruajtja e ujit në rezervuare)
• Të zgjerojmë zonat e ujitura (shtimi i kapaciteteve të reja ujitëse, ruajtja e ujit në rezervuare)
• Të riperdorin ujin në bujqësi
• Të grumbullojnë ujin e rreshjeve dhe të ruajme ujin në fermë
• Të ruajmë ujrat nëntokësore
• Futja e kulturave rezistente ndaj thatësirës me më pak kërkesa ujore
Rekomandime
Rekomandohet ngritja dhe mbështetja e kërkimit shkencor, për të punuar posaçërisht për procesin e përshtatjes së sektorit të bujqësisë me kushtet e reja klimatike. Në vend funksionojnë pesë Qëndra të Transferimit të Teknologjive Bujqësore, dhe konkretisht në Fushë-Krujë, Lushnjë, Vlorë, Korçë dhe Shkodër, si qendra të kërkimit shkencor. Por në detyrat kryesore dhe drejtimet specifike të veprimtarisë së tyre, nuk përfshihet kërkimi shkencor, përgatitja dhe publikimi i materialeve për specialistët e bujqësisë dhe fermerët për kushtet e reja klimatike.
Këto qendra duhet të mbështeten me fonde dhe specialistë, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor, për të zhvilluar kërkime me qëllim:
a)Prodhimin e farërave dhe fidanëve në përshtatje me kushtet klimatike në zona të caktuara të vendit, ku ndryshimet klimatike janë më të dukshme.
b)Studimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve të rinj që janë shfaqur në bujqësi dhe blegtori, si pasojë e ndryshimeve të klimës.
c)Kryerjen e studimeve mbi ndryshimet që ka pësuar cikli biologjik i bimëve, sipasojë e ndryshimeve të klimës, dhe orientimi i fermerëve nëse duhet të ndryshojë koha e mbjelljes për disa kultura.
d)Ngritja e qendrave lokale për sistemet e farave të komuniteteve rurale, të cilat bëjnë të mundur grumbullimin, prodhimin dhe ruajtjen e farave pasi në zonat rurale shumica e farave të përdorura nga fermerët prodhohen nga vetë fermerët.
Procesi i përshtatjes së bujqësisë me kushtet e reja të klimës, duhet të shoqërohet edhe me stratregji të qarta të mbështetjes financiare përmes riorientimit të subvencioneve si dhe plane investimesh në përputhje me ndryshimet që sjell klima e re në punën dhe jetën e fermerëve:
a)Mbështetja financiare për të përmirësuar teknologjinë e ujitjes, për të rritur efektivitetin dhe kursimin e ujit.
b)Përmirësimi apo rindërtimi i sistemit të ujitjes në zonat që janë me rrisk të madh të zgjatjes së periudhës së thatësirës si pasojë e ndryshimeve klimatike.
c)Orientimi (kushtëzimi) i subvencioneve me zbatimin e teknologjive apo masave që do të rekomandohen nga studiuesit, të cilat ndikojnë në reduktimin e pasojave të ndryshimeve klimatike.
d)Hartimi dhe zbatimi i skemave mbështetëse, kompensuese dhe siguruese ndaj dëmeve që shkaktojnë në kulturat bujqësore ngjarjet ekstreme të motit.
P.S:
Ky artikull është pjesë e një fushate mediatike ndërgjegjësimi për çështjen e ndryshimit të klimës, në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi për ndryshimet e klimës: Ndikimi i partive politike për politikat klimatike”, zbatuar nga organizata Forumi i Mendimit të Lirë, mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Produktet mediatike për llogari të këtij projekti u përgatitën nga organizata Forumi i Mendimit të Lirë, me asistencën e studiuesve të fushës së bujqësisë, ujërave dhe çështjeve të klimës: Arben Muka, Albert Kopali dhe Arben Pambuku.
Discussion about this post