Çmimet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve priten të rriten vitin e ardhshëm.
Burimet nga tregu bëjnë të ditur se kompanitë po përgatiten të aplikojnë një rritje të tarifave, për shkak të rritjes së limit të përgjegjësive që ka sjellë ligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, por edhe për shkak të rritjes së ndjeshme të kostos së dëmeve, për shkak të rritjes së çmimeve.
Ligji që u miratua në vitin 2021 parashikon një rritje progresive në limitet e përgjegjësive të siguruesve. Në periudhën 2021-2025, shuma minimale e përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në aksident do të rritet me 2 milionë lekë çdo vit, duke arritur në nivelin final prej 30 milionë lekësh në vitin 2025.
Më konkretisht, nga 20 milionë lekë që ishte vitin e kaluar, prej 1 janarit 2022 limit i përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në aksident është rritur në 22 milionë Lekë. Në 1 janar 2023 do të hyjë në fuqi rritja e radhës, me 2 milionë lekë të tjera.
Për dëmet e shkaktuara nga një ngjarje sigurimi, kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo mjet është rritur në 55 milionë lekë, që prej fillimit të këtij viti. Sidoqoftë, edhe në këtë rast, kufijtë minimalë të përgjegjësisë do të rriten gradualisht me 4 milionë lekë çdo vit deri në vitin 2025.
Nga ana tjetër, sipas siguruesve, rritja e çmimeve këtë vit ka prekur edhe pjesët e këmbimit të automjeteve dhe shërbimet teknike të riparimit të tyre. Kjo pritet të sjellë një rritje të shpenzimeve për dëme nga kompanitë.
Duke iu referuar statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për 10-mujorin 2022 dëmi mesatar i paguar në sigurimin e detyrueshëm TPL arriti në 196 mijë lekë, në rritje me 8.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ligjit në fuqi, shoqëritë e sigurimit i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike, duke marrë parasysh faktorët e riskut. Megjithatë, shoqëria duhet të njoftojë AMF të paktën 30 (tridhjetë) ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit dhe të depozitojë njëkohësisht bazat teknike, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e këtyre primeve, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë.
AMF mund të urdhërojë rishikimin e tarifave të reja të primeve nëse konstaton se baza e të dhënave për hartimin e tabelave të primit nuk është e saktë ose shoqëria e sigurimit nuk ka vepruar në përputhje me parimet aktuariale dhe metodologjinë e përdorur për përfshirjen e faktorëve të riskut të përcaktuara me rregullore.
Sipas burimeve nga tregu, një risi tjetër për vitin 2023 pritet të jetë aplikimi i primeve të diferencuara sigurimit TPL, sipas kategorive të mjeteve. Për këtë qëllim, vitin e kaluar AMF konsultoi me aktuarët e autorizuar të shoqërive një projektrregullore “Për përcaktimin e nivelit të provigjoneve teknike dhe të faktorëve të riskut për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Dokumenti parashikonte një listë të faktorëve të riskut që kompanitë e sigurimeve duket të përdorin për të llogaritur primet që drejtuesit duhet të paguajnë për të siguruar mjetet e tyre. Faktorët që u propozuan nga AMF ishin mosha e mjetit, fuqia motorike, qarku ku është regjistruar mjeti motorik, burimi i energjisë së mjetit (elektrike apo jo elektrike), mosha e të siguruarit dhe eksperienca në drejtimin e automjetit.
Faktorë të tjerë që rekomandohen të zbatohen nga shoqëritë e sigurimit janë Bonus-Malus (historiku i dëmeve), qëllimi i përdorimit të automjetit, distanca vjetore e përshkruar si dhe faktorë të tjerë të riskut që bëjnë të mundur diferencimin e primit në bazë të riskut që mbart i siguruari.
Burime nga tregu bëjën të ditur se një variant përfundimtar i kësaj rregulloreje pritet të miratohet në vitin 2023 dhe do të përbëjë bazën për aplikimin e primeve të diferencuara, mbështetur në kategorizimin e mjetit apo në faktorë të tjerë rreziku.
Discussion about this post