Pas fjalimit të Kryeministrit Edi Rama të mërkurën në Këshillin e Europës në Strasburg, në mbrëmje ishte organizuar një darkë pune nga misioni shqiptar.
Por në këtë darkë nuk morën pjesë disa prej të ftuarve. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale, thotë se arsyeja që kishin dhënë është se “nuk ishin ndjerë mirë pas fjalimit”.
“Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg, megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja. E mirëkuptueshme. S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve! Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri”.
Kryeministri Edi Rama i konsideron të pranueshme këto argumente të anëtarëve të KiE, por nuk la pa përgjigje kritikat e bëra nga opozita shqiptare.
“Por është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra! #NjerëzPaAtdhe #KatranMeBojë”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama në Twitter.
Në fjalimin e tij në KiE, Kryeministri Rama paraqiti një rezolutë për të rrëzuar atë të Dick Marty në vitin 2010 që ngrinte pretendimet për krime lufte dhe trafikim organesh nga udhëheqësit e UÇK-së gjatë luftës së Kosovës.
tv6+1vlora
Discussion about this post