Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka dalë pro përfshirjes së vendit të tij në nismën “Ballkani i Hapur”, pjesë e të cilës janë Shqipëria dhe Serbia, ndërkohë që kërkohet përfshirja edhe e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Abazoviç u shpreh se përfshirja në “Open Balkan” përshpejton integrimin në Bashkimin Europian, teksa shtoi se kjo nismë nuk është kundër konceptit të Procesit të Berlinit.
DW: Keni deklaruar gjithashtu se do të mbështesni “Open Balkan”, në ndryshim nga presidenti i vendit tuaj. Përse?
Dritan Abazoviç: Për mua edhe kjo situatë është e thjeshtë dhe s’duhet dramatizuar. Çdo gjë që mund të përdoret si një mjet për integrimin e shpejtë në BE është diçka e mirë. Për çdo gjë tjetër që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, ne nuk jemi të interesuar. Pra, gjithçka që na ndihmon që të hyjmë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për ne është ok.
DW: A nuk është kundër konceptit të Procesit të Berlinit?
Dritan Abazoviç: Jo! Këto janë në përputhshmëri me njëra-tjetrën. Problemi është se njerëzit në Ballkanin Perëndimor përpiqen të dramatizojnë çdo çështje. Procesi i Berlinit, CEFTA, “Ballkani i hapur” apo çdo nismë tjetër kanë si mesazh të përbashkët bashkëpunimin rajonal. Emri është i parëndësishëm. Po çfarë na nevojitet ne? Na duhet më shumë besim, komunikim më i mirë, projekte të përbashkëta, më shumë bashkëpunim mes vendeve dhe qeverive. Këto na nevojiten. Dhe nga këndvështrimi im, gjithçka shkon në këtë drejtim, është gjëja e duhur. Na duhen më pak tensione, depolarizim i rajonit, dhe për këtë na duhet t’i besojmë njëri-tjetrit dhe jo ta shohim çdo propozim që vjen nga përtej kufirit si diçka armiqësore.
Discussion about this post