Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Davos me Christine Grahn, përfaqësuesen e TikTok për Marrëdhëniet me Qeveritë dhe Politikën Publike në Europë. Në fokus të bisedës ishin shqetësimet që çuan në vendimin për bllokimin e përkohshëm të platformës në Shqipëri dhe mundësitë për rikthimin e saj me standarde të përmirësuara sigurie.
Rama deklaroi se diskutimi me Grahn ishte i hapur dhe konstruktiv, duke u përqendruar në masa konkrete që mund të ndërmerren për të garantuar një mjedis më të sigurt për përdoruesit shqiptarë.
“‘Me Christine Grahn, kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë e Politikën Publike të TikTokut për Europën, shtruam shqetësimet që na çuan në vendimin e mbylljes së përkohshme të aksesit në platformë nga Shqipëria, si edhe dëgjuam rrugët e mundshme të adresimit të tyre nga ana e kompanisë.
Një diskutim plotësisht i hapur dhe me frymë konstruktive, ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Vendimi për kufizimin e aksesit në TikTok u mor nga qeveria pas një konsultimi publik në dhjetor 2024, si përgjigje ndaj ngjarjeve shqetësuese që lidhen me sigurinë e të rinjve në rrjetet sociale.
Discussion about this post