Rishi Sunak do të shpallë një marrëveshje për emigracionin shqiptar të martën, e cila do të përshpejtojë deportimet në shtetin ballkanik. Kështu raporton media britanike “ The Telegraph”.
Pas javësh negociatash intensive me Shqipërinë, në të cilat Kryeministri ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt, ai do të përshkruajë planet për të frenuar fluksin rekord të anijeve të vogla përgjatë Kanalit të nxitur nga një rritje e emigrantëve nga ky vend, shkruan “The Telegraph”.
Ai pritet të propozojë që vënia e Shqipërisë në të njëjtin nivel me vendet “të sigurta” të BE-së do t’i hapte rrugën deportimeve të shpejta të emigrantëve nga vendi që kërkojnë azil në Angli.
Ministrat do të përpiqen të shmangin kritikat nga avokatët e të drejtave të njeriut duke argumentuar se masat janë në përputhje me vendet e tjera evropiane, të cilat e trajtojnë Shqipërinë si një vend të sigurt dhe në këtë mënyrë përjashtojnë shqiptarët nga e drejta për të kërkuar azil.
Downing Street po shqyrton gjithashtu propozimet për kthimin e shqiptarëve që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne në shtetin ballkanik që aplikimet e tyre të përpunohen atje për të parandaluar që ata të shfrytëzojnë vonesat prej më shumë se një viti për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.
Raportohet se 3,432 shqiptarë deklaruan se ishin viktima të trafikimit në nëntë muajt e parë të vitit, duke i bërë ata kombësinë më të madhe që aplikonin sipas aktit të skllavërisë moderne, përpara edhe britanikëve.
Sunak foli me kryeministrin shqiptar, Edi Rama në fillim të këtij muaji, kur ata duhej të bënin më shumë për të trajtuar migracionin ilegal dhe diskutuan “mbylljen e zbrazëtirave që po parandalojnë kthimin e shpejtë të azilkërkuesve të dështuar”, shkruan “The Telegraph”.
Debati për emigrantët e paligjshëm shqiptarë është kthyer në një nga çështjet kryesore të debatuara në Britaninë e Madhe, pas deklaratës së bërë nga Ministrja e Brendshme, Suella Braverman e cila teksa foli për shifrat e emigrantëve, e konsideroi situatën si një “pushtim” nga shqiptarët. Ajo shkoi më tej teksa shtoi se një pjesë e madhe e shqiptarëve që shkonin në Britaninë e Madhe punonin në ilegalitet dhe përfshiheshin çështje kriminale duke u rekrutuar nga bandat.
Kjo deklaratë e saj solli reagimin e kryeministrit Edi Rama i cili i konsideroi debatet për shqiptarët në Britani si “një britmë në çmendinë”. Nga ana tjetër në 12 nëntor qindra shqiptarë u organizuan në një protestë në Londër, duke kërkuar që Ministrja e Brendshme e Britanisë të kërkojë falje për deklaratën e saj.
Discussion about this post