Hansi Flik do të vazhdojë që të mbajë detyrën e tij si trajner i Gjermanisë, pavarësisht paraqitjes negative në Kupën e Botës.
Këtë e konfirmoi Federata Gjermane e Futbollit, që ka vendosur t’i besojë teknikut 57-vjeçar detyrën që t’i rikthejë suksesin “pancerave” në Euro 2024.
Flik dhe drejtori i kombëtares Oliver Bierhof morën kritika të shumta pas eliminimit të Gjermanisë në fazën e grupeve për herë të dytë radhazi në një Kupë Bote.
Kjo bëri që Bierhof, figurë mjaft e njohur e futbollit gjerman, të jepte dorëheqjen dy vjet përpara përfundimit të kontratës.
Por drejtuesit e federatës nuk duan që Flik të largohet. Në një deklaratë presidenti i federatës gjermane Bernd Nojendorf tha se Euro 2024 në Gjermani përfaqëson një mundësi të madhe për futbollin në Gjermani për ta kthyer në sukses dhe besimi është i madh te Hansi Flik.
Në ndeshjet e Grupit E, Gjermania u mund nga Japonia, barazoi me Spanjën dhe mposhti Kosta Rikën. Pancerat gjithashtu nuk arritën të kalonin në raundin e të 16-ve në Euro 2020.
Discussion about this post