Minoritari Fredi Beleri ka lënë këtë të hënë qelitë e Burgut të Sigurisë së Lartë në Fier dhe ka udhëtuar drejt Tiranës, i shoqëruar nga djali i tij dhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri. Jashtë ambienteve të burgut, ai nuk ka pranuar të flasë për mediat shqiptare, por vetëm për ato greke.
Leja speciale për kryebashkiakun që fitoi Himarën por nuk u betua dot ka nisur në orën 06.30 dhe rreth një orë më parë, mes 08.30-09.00 të mëngjesit të sotëm, Fredi Beleri është larguar me avion nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Ai ka marrë menjëherë avionin drejt Athinës dhe në hyrje të Rinasit ka thënë se çështjen e mandatit do ta çojë në Gjykatën e Stasburgut.
Fredi Beleri duke dale nga Burgu i Fierit
“Do të ankimoj në çdo hallkë të drejtësisë shqiptare dhe po nuk gjeta drejtësi, deri në Strasburg”, është shprehur Fredi Beleri, duke akuzuar drejtësinë shqiptare se ka vepruar me dy standarde për rastin e tij, ndërsa tashmë është në rrugën drejt betimit si eurodeputet.
“Dua të falenderoj Drejtorinë e Burgjeve që mori këtë vendim. Ishte një vendim në kuadër të ligjit dhe logjikës. Po nisem drejt Athinës për të shkuar më pas në Strasburg në mbledhjen që do marrë vendime të rëndësishme. Besoj që tani e tutje do i kthehem normalitetit”, vijoi ai.
Fredi Beleri foli edhe për zgjedhjet e reja që janë caktuar në Himarë më datë 4 Gusht. “Herët a vonë, dëshira e sovranit respektohen. Me 4 gusht besoj se himariotët do japin një përgjigje dhe dëshira e tyre do respektohet dhe pasqyrohet te rezultati i zgjedhjeve”, tha minoritari.
Mirëpo, a është ky largim i menjëhershëm i Fredi Belerit drejt Athinës shkelje e lejes së posaçme?!
Pika pesë e lejes së posaçme e firmosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, saktëson qartë se në ditën e parë që i dënuari del me leje, ai duhet të paraqitet bashkë me një kopje të shkresës “Leje Shpërblyese” një Komisariatin e Policisë Himarë, ndërsa në ditët e tjera të lejes deri më datë 20 Korrik kur duhet të kthehet në qeli, mund ta bëjë procedurën vetëm përmes telefonit.
Fredi Beleri duke folur per mediat nga Rinasi
Pra, ditën e parë të kësaj leje, që praktikisht është sot më 15 Korrik, Fredi Beleri duhej të paraqitej në Komisariatin e Himarës, pasi aty është një nga dy adresat e vendbanimit që ai ka deklaruar. Tjetra është në Stasburg.
Konkretisht, pika 5 e Lejes Shpërblyese për Dhionisis (Alfred) Beleri, thekson:
5 – Ju i dënuari në datën 15.07.2024 duhet të paraqiteni bashkë me një kopje të shkresës “Leje Shpërblyese” në Komisariatin e Policisë Himarë ose përjashtimisht në raste të veçanta, të mbani kontakt të vazhdueshëm me Komisariatin e Policisë së vendqëndrimit çdo ditë në orën 14.00.
6 – Në ditët e tjera, i trajtuar me leje shpërblyese, ju duhet të paraqiteni ose përjashtimisht në raste të veçanta, të mbani kontakt të vazhdueshëm me Komisariatin e Policisë së vendqëndrimit, çdo ditë në orën 14.00.
Pra, Fredi Belerit i është bërë e qartë se në ditën e parë të lejes, praktikisht sot më 15 Korrik, duhet të paraqitet fizikisht pranë Komisariatit të Himarës ku ka vendbanimin e deklaruar, për të dorëzuar shkresën e firmosur nga Drejtoria e Burgjeve, për përfitimin e lejes shpërblyese. Në këto kushte, a e ka thyer ai lejen që ditën e parë?!
Një rast “përjashtimisht i veçantë”, siç parashikon qartë leja e Drejtorisë së Burgjeve, është fakti se i dënuari mund të ketë komplikacione të rënda shëndetësore dhe nuk mund të paraqitet dot fizikisht në Komisariatin e Policisë ku ka vendbanimin, të cilat duhet të jenë të deklaruara më herët.
Kur Fredi Beleri fatmirësisht gëzon shëndet të plotë dhe nuk ka njoftuar institucionet për ndonjë komplikacion shëndetësor, madje dhe betimi si eurodeputet në Stasburg do të bëhet nesër, më datë 16 Korrik, mosparaqitja e tij që ditën e parë në Komisariatin e Himarës, siç përcaktohet në kriteret e lejes shpërblyese, duket se shkon në kufijtë e thyerjes së saj.
Discussion about this post