Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dy vite shërbim prove për ish-gjyqtarin Guxim Zenelaj, i cili akuzohet për deklarim të rremë e fshehje të pasurive.
SPAK ka dhënë pretencën duke kërkuar shërbim prove dhe jo burg për ish-gjyqtarin, teksa kërkon që të shpallet fajtorë për akuzën e “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë dhe personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
E teksa SPAK ka bërë këtë kërkesë, vijon gjyqi për sekuestrimin e pasurive të Zenelajt. Atij në 2022 i janë konfiskuar 7 objekte, toka, apartamente dhe bodrume, me vendndodhje në Himarë e Lezhë.
Në vitin 2016 Zenelaj deklaroi në deklaratën e pasurisë 18 apartamente dhe tre njësi ndërtimore në Ishull Shëngjin, Lezhë. Si burim për krijimin e pasurive të paluajtshme, gjyqtari referoi një kontratë me një kompani të caktuar, por nuk dha të dhëna se sa ishte vlera e kontratës, si dhe për burimin e parave që mbulojnë vlerën e kontratës.
Po në këtë vit ai deklaronte edhe tre pasuri të paluajtshme, njësi në Ishull Shëngjin, Lezhë, me sipërfaqe 16 m2, 15 m2 dhe 218.06 m2. Po ashtu ai deklaroi 30 mijë euro të ardhura nga dhënia me qira e një lokali dhe ambienteve për banim në Shëngjin.
Guxim Zenelaj dha dorëheqjen nga drejtësia në vitin 2017 sapo i përfundoi mandati në Gjykatën e Lartë, duke iu shmangur kështu vettingut.
Discussion about this post