Shërbimi Meteorologjik Ushtarak raporton se për këtë fundjavë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.
Moti pritet të jet fillimisht i kthjellët e me vranësira në shtim nga orët e mesditës e pasdite kryesisht në relievet kodrinore – malore. Vranësirat do të pasohen nga reshje e shiu të cilat pritet të jenë në formën e shtrëngatave afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike e lokalisht breshër.
Era me drejtim veriperëndim –verilindje me shpejtësi mesatare 7m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e lugina era hera –herës fiton shpejtësi 10-12m/sek, duke bërë që valëzimi në dete të jetë i 1-2 ballë.
Ky ndryshim pritet pas një jave me temperatura të larta mbi 40 gradë celcius, të pazakonta për Shqipërinë dhe që janë ndjerë disa gradë më të larta për shkak të lagështirës së madhe në ajër. Edhe netët janë konsideruar mbytëse, për shkak se temperaturat minimale gjatë natës kanë qenë 28°C – 30°C.
Kjo situatë vjen si pasojë e ndikimit të theksuar të Anticiklonit Afrikan (dhe jo vetëm pasi gradualisht bashkohet edhe me Anticiklonin e Azoreve) shoqëruar me masa ajrore të nxehta me origjinë nga Afrika e Veriut (shkretëtira e Sahara-së).
Depërtimit i këtyre masave të nxehta mbi detin Mesdhe bën që ato të mbartin me vehte një sasi relativisht të lartë lagështire. Në këtë mënyrë nëse në kafazin meteorologjik zhiva e termometrit mund të shënojë deri në 42°C për trupin e njeriut kjo temperaturë ndjehet disa gradë më e lartë për shkak të lagështirës së lartë. Ndryshe do të ishte situata nëse masat ajrore do të ishin të thata dhe trupi ynë do të ndjente këto temperatura disa gradë më të ulta.
Discussion about this post