Gerardo Greco, autori i një artikulli në gazetën prestigjoze italiane “La Repubblica” i është përgjigjur reagimit të djeshëm të kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit pretendonte se i ishin vendosur në gojë fjalë që nuk i kishte thënë.
Ndërkohë, autori i artikullit thotë se ai ka shkuar me besnikëri gjithçka që ka biseduar në Tiranë me Edi Ramën, madje dhe i ka kërkuar paraprakisht leje nëse mund t’i botonte ato që kishin folur.
“Është e vërtetë, kryeministri Rama është një mikpritës i madh. Kaluam një orë në Tiranë për një kafe. Kemi folur padyshim për qendrat e emigrantëve në Shqipëri, por edhe për fenë dhe historinë e Shqipërisë. Në fund të dialogut tonë padyshim që pyeta Ramën nëse mund të shkruaja për këtë dhe ai u përgjigj menjëherë po.
Askush nuk e ka ndërmend ta fusë Kryeministrin Rama në kënetën e politikës italiane, por ai vetë pretendon se problemi do të jetë funksionimi i qendrës së Shëngjinit me procedura italiane dhe rregulla europiane. Thonjëza dhe thelbi i bisedës tonë shumë të këndshme është raportuar me besnikëri”, ka shkruar gazetari Gerardo Greco.
Artikulli italian i “La Repubblica” bënte me dije se Edi Rama kishte rrëzuar marrëveshjen me homologen Giorgia Meloni për kampin e emigrantëve në Shëngjin, por këtë i pari qeverisë shqiptare e ka hedhur poshtë përmes postimit në rrjetin social “X”.
Discussion about this post