Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas sulmeve që deputeti socialist Plarent Ndreca i bëri ditën e sotme ish-deputetit demokrat, Belind Këlliçit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi ka nxjerrë “blof” socialistin, i cili dy ditë më parë në emisionin “Opinion” tha se nuk ka asnjë dosje në Prokurorinë e Posaçme në emrin e tij.
Duke i bashkangjitur reagimit të tij dhe pjesë nga dosja hetimore, deputeti demokrat thotë se SPAK ka dalë në konkluzionin që si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Ndreca ka shkelur ligjin duke përcaktuar kompaninë fituese dhe rritur fiktivisht vlerat e prokurimit, duke sjellë kështu dëm të rëndë financiar për Buxhetin e Shtetit.
“Ndryshe nga balta që ai hedh me gënjeshtra ndaj kujtdo që i thotë të vërtetën në sy, që ai është një shkelës recidivist i ligjit, për Plarent Ndrecën qartësisht sipas dokumenteve zyrtare, SPAK ka dalë në konkluzionin që si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, ai ka shkelur ligjin duke paracaktuar kompaninë fituese dhe rritur fiktivisht vlerat e prokurimit, duke sjellë dëm të rëndë financiar për Buxhetin e Shtetit”, shkruan Ndreca ndër të tjera.
Kujtojmë se ditën e sotme, përmes një deklarate për mediat, Belind Këlliçi zbuloi gjetjet e reja të Grupit të Ekspertëve të PD për inceneratorin e Tiranës. Këlliçi tha se në këtë aferë, del i përfshirë edhe deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca.
Pas këtyre akuzave reagoi edhe deputeti socialist i cili hodhi poshtë akuzat e Këlliçit duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me Inceneratorin e Tiranës. Ndreca gjithashtu ka paralajmëruar se do të padisë ish-deputetin demokrat në SPAK, duke theksuar më tej se do i bëjë po ashtu dhe një kërkesë Ministrisë së Arsimit për “pavlefshmërinë e njësimit të diplomës tënde të lartë, kur nuk ke përfunduar shkollën e mesme”.
“Sot paska dalë në konferencë për shtyp e përmendur emrin tim, i vetmi drejtues politik në historinë 30 vjeçare të pluralizmit shqiptar që ka mbaruar vetëm 8 klasë shkollë. Doktori i shkencave të tetologjisë (shkenca e të diturit deri në klasë të tetë), sot ka bërë një paradë emrash qytetarësh të lirë të këtij vendi, vetëm e vetëm për ti lidhur me emrin tim, për ca proçese, që ky rrenacaku me tetë klasë, e di shumë mirë që unë skam asnjë lidhje, por si një komunist i brezit të ri, mendon se më intimidon në punën që unë bëj”, tha Ndreca ndër të tjera.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fplarentndreca20%2Fposts%2Fpfbid0cgyeXKqz64D5Gzftwp9ef9Yu2cE9XY4HEr2ShigoysPZXFrJHmFG2AjzrmDUubjdl&show_text=false&width=500
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Sot një deputet periferik i Edi Ramës paska sulmur me gjuhën e gënjeshtrave të Erion Veliajt kolegun Belind Këlliçi. Është i njëjti deputet i PS që gënjeu të enjten publikisht në emisionin “Opinion” kur tha që s’ka asnjë problem në SPAK.
E vërteta është që Plarent Ndreca, deputeti i Edi Ramës, është nën hetim në procedimin penal nr. 240/2021, bazuar në një Referim (kallëzim/informacion) të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, të kryer në bashkëpunim, me abuzim miliona euro për rikonstruksionin e disa godinave të Komisariateve (Komisariatet nr.4 Tiranë, Vlorë, Mirditë dhe Pogradec).
Ndryshe nga balta që ai hedh me gënjeshtra ndaj kujtdo që i thotë të vërtetën në sy, që ai është një shkelës recidivist i ligjit, për Plarent Ndrecën qartësisht sipas dokumenteve zyrtare, SPAK ka dalë në konkluzionin që si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, ai ka shkelur ligjin duke paracaktuar kompaninë fituese dhe rritur fiktivisht vlerat e prokurimit, duke sjellë dëm të rëndë financiar për Buxhetin e Shtetit.
Nga hetimi i deritanishëm janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi mbi prokurimin publik, duke cënuar barazinë e pjesëmarrësve në këto procedura prokurimi dhe që kanë krijuar rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit.
Nëse Plarent Ndreca mendon që për shkak se është një deputet periferik dhe jashtë fokusit të opinionit publik, mund të amnistohet nga SPAK, gabohet rëndë! Lidhur me këtë çështje, Grupi Parlamentar i PD-së po pret që SPAK të bëjë detyrën e vet, duke e ndjekur nga afër të gjithë procesin dhe duke disponuar të gjitha faktet që provojnë shkeljen e rëndë të ligjit dhe përgjegjësinë penale për deputetin e Edi Ramës!
Bashkëlidhur pjesë nga dosja hetimore nr. 240/2021 të SPAK!
Discussion about this post