Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë ka reaguar lidhur me vendimin e sotëm për shkarkimin e Fredi Belerit nga posti i kryetarit të Bashkisë së Himarës.
“Vendimi i sotëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë për të skualifikuar Fredi Belerisin pa u bërë as edhe betimi i kryetarit të Bashkisë Heimares përbën një praktikë të re dhe përfundimin e parashikuar të një procesi me shumë pikëpyetje në lidhje me parimet themelore të shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke.
Gjithashtu, Athina zyrtare kërkon nga autoritetet shqiptare të marrin “të gjitha masat e nevojshme për të lejuar menjëherë Belerin tashmë anëtar i zgjedhur i Parlamentit Europian, të marrë pjesë më 16 korrik në Strasburg”.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Jashtme greke:
“Vendimi i sotëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë për të skualifikuar Fredi Belerin pa u bërë as edhe betimi i kryebashkiakut të Himarës është një praktikë e re dhe përfundimi i parashikuar i një procesi me shumë pikëpyetje në lidhje me parimet themelore të shtetit ligjor.
Greqia kishte shprehur me kohë shqetësimin e saj të fortë për heqjen e prezumimit të pafajësisë, integritetin e procesit të provës, ndalimin e sharjes dhe dënimin shpërpjestimor të vendosur, si dhe faktin që Bashkia e Himarës qeveriset prej një viti nga persona të paautorizuar.
Ministria e Punëve të Jashtme rithekson detyrimin e autoriteteve shqiptare për të marrë të gjitha masat e nevojshme për t’i mundësuar menjëherë z. Beleri, tashmë deputet i zgjedhur në Parlamentin Europian, të marrë pjesë në punën e tij, duke filluar nga Seanca e parë plenare më 16 korrik në Strasburgu.”
Sakaq, presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka shpallur datën e zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Himarës. Pas konfirmimit të pavlefshmërisë së kryebashkiakut të zgjedhur por të pabetuar Fredi Beleri, është vendosur që data për zgjedhjet e reja të jetë 4 Gushti.
Sot, Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.
Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Discussion about this post