Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991. Gjatë punimeve të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH), lidershipi komunist i asaj kohe e bëri të qartë që partia duhej rithemeluar mbi principe të reja demokratike, me një organizim, program dhe kryetar të ri, si dhe që PPSH nuk mund të ekzistonte më në asnjë formë të asaj që kishte përfaqësuar në të shkuarën.
Në këtë mënyrë, u shpërbë e gjithë byroja politike dhe anëtarësia e vjetër e partisë si dhe u zgjodh kryetari i ri Fatos Nano, i cili kishte shërbyer edhe si kryeministër nga 22 shkurti deri më 5 qershor të atij viti. Nano nisi reformimin e brendshëm të partisë, duke krijuar një anëtarësi të re, si dhe me nje program politik të bazuar te ekonomia e tregut.
Megjithëkëtë, PS nuk arriti ti fitonte dot zgjedhjet e para demokratike të 22 marsit 1992, edhe për shkak se ajo kishte qenë partia në pushtet gjatë tranzicionit të butë të ndërrimit të sistemit politik. Pavarësisht humbjes së thellë në zgjedhjet e përgjithshme elektorale, tre muaj më vonë, PS, arriti të siguronte fitoren me një rezultat të ngushtë në zgjedhjet lokale të korrikut 1992. Viti 1993 do të sillte dhe arrestimin e kryetarit të partisë Nano, i cili do të fillonte që ta udhëhiqte PS nga burgu, duke kërkuar dhe pasur dhe mbështetjen e anëtarësisë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.
Gjatë këtyre viteve në opozitë, PS do të arrinte të krijonte figura të reja politike në rradhët e saj, të cilat do të frymëzonin edhe një frymë të re opozitarizmi ndaj Partisë Demokratike në pushtet. Por megjithatë, në një klimë të tensionuar politike, PS do ta kishte të vështirë që të fitonte zgjedhjet e përgjithshme elektorale të majit 1996, si dhe zgjedhjet lokale që pasuan në tetor të po të njëjtit vit. Viti 1997 do të shënonte rënien e skemave piramidale në Shqipëri, dhe për pasojë do të sillte humbje të mëdha ekonomike te njerëzit që kishin investuar në to, duke sjellë dhe një destabilitet të madh politik. PS do të arrinte që të fitonte zgjedhjet e parakohëshme elektorale të qershorit të vitit 1997 dhe do të qëndronte në pushtet për dy legjislatura.
Pushteti do të kalonte nga njëri kryeministër socialist tek tjetri, duke filluar me kryeministrat e rinj në moshë, Majko dhe Meta, dhe në vitet e fundit të qeverisjes do të ishte vetë Fatos Nano që do të udhëhiqte jo vetëm partinë por edhe qeverinë. Gjatë kohës së qëndrimit në pushtet (1997- 2005), PS do të zhvillonte diskutime të brendshme të mëdha për marrëdhëniet ndërmjet statutit të brendshëm të partisë dhe qeverisjes, dhe nëse roli i kryetarit të partisë duhej të përputhej me rolin e kryeministrit.
Debat i cili nga ana praktike u zgjidh me zgjedhjen e Nanos edhe si kryetar partie, por edhe si kryeministër, dhe me krijimin e një partie të re politike në shtator të vitit 2004 nga kundërshtarët e tij që lanë PS për të krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) nën udhëheqjen e Ilir Metës. Pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme elektorale të 3 korrikut 2005, Nano dha dorëheqjen dhe brenda PS nisën përgatitjet për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, që në konkurrencën midis Edi Ramës dhe Rexhep Mejdanit, fitoi me shumicë votash Edi Rama.
Nga viti 2005 deri në vitin 2013, Partia Socialiste do të qëndronte në opozitë dhe Rama do të bënte një transformim tërësor të saj, që nga organizimi, filozofia, struktura e brendshme si dhe do të afronte figura të reja nga shoqëria civile dhe bota e biznesit. Me një program të ri politik të quajtur ‘Rilindje’, simbole dhe ngjyra të tjetërsuara, PS do të arrinte të fitonte zgjedhjet e përgjithshme elektorale të vitit 2013 dhe vitit 2017 dhe bashkë me to dhe zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe 2019
Kryetari Edi Rama – Jetëshkrimi
Edi Rama u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste në tetor të vitit 2005, pas dorëheqjes së kryetarit historik të PS-së Fatos Nano. Gjatë vitit 2009 ai u rizgjodh në këtë post me më shumë se 90 përqind të votave të anëtarësisë. Viti 2013 shënon ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet nën kryesimin e Edi Ramës. Ai do të kryesonte listën e deputetëve socialistë në qarkun e Vlorës.
Në shtator do të krijonte kabinetin e ri qeveritar të kryesuar prej tij. Përpara se të zgjidhej Kryeministër, Rama kishte qenë një aktivist shumë i njohur i shoqërisë civile, pedagog i Institutit të Lartë të Arteve, piktor, shkrimtar, publicist, dhe lojëtar profesionist i sportit të basketbollit. Ai gjithashtu duke filluar nga viti 1998 kishte mbajtur një sërë pozicionesh të rëndësishme qeveritare. Ai u emërua Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998 nga kryeministri i atëhershëm socialist Fatos Nano, pozicion të cilin e mbajti deri në vitin 2000.
Në tetor të vitit 2000, Edi Rama, nën siglën e Partisë Socialiste, u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet e përgjithshme lokale të atij viti. Ai u rizgjodh sërish në zgjedhjet lokale të vitit 2003 dhe 2007, duke bërë që të drejtonte kryeqytetin e Shqipërisë për 11 vite.
Më pas iu përkushtua reformimit të brendshëm të Partisë Socialiste, anëtarësimeve të reja, nisi disa fushata dhe protesta të mëdha për rrëzimin e qeverisë së kohës, të kryesuar nga ish kryeministri Berisha, derisa realizoi ardhjen e saj në pushtet në qershor të vitit 2013. Ai u rizgjodh si kryeministër edhe në zgjedhjet e përgjithshme elektorale të vitit 2017./ ISP
Discussion about this post