Ka rënë në prangat e policisë së Sarandës Sotir Çabiri, pasi dyshohet si personi i cili ditën e djeshme hodhi në erë hotelin “Bizanti”në Sarandë.
Sipas uniformave blu mësohet se 36-vjeçari, i cili është edhe djali i Spiro Çabirit, bashkëpronarit të hotelit “Bizanti”, dyshohet se ka vendosur një sasi lënde eksplozive, në hotelin që babai i tij, për shkak të një procesi gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe shtetasi Evangjeli Dhimitri, ku sipas gjykatës pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të Dhimitrit.
Spiro Çabiri, një ndër bashkëpronarët e këtij hoteli ka qenë në konflikt gjyqësor me bashkëpronarin tjetër Evangjeli Dhimitri.
Që nga viti 2002 e deri tani, dy bashkëpronarët nuk kishin gjetur asnjë zgjidhje me njëri tjetrin dhe ndërkohë proceset gjyqsore vazhdonin.
Por, si nisi gjithçka? Dhimitër Evangjeliu, shtetas grek dhe dy shtetas shqiptarë Spiro Cabiri e Vangjel Shutka i ndarë nga jeta ishin bashkëpronarë. Hoteli sipas dosjes së gjykatës së Lartë, ishte vendosur mbi një truall prej 700 metra katrorë. Në 2005 u vendos kolateral në bankë për të marrë një kredi 98 milionë lekë të vjetra edhe pse kishte nisur konflikti në gjykatë që në vitin 2002.
Apeli i Gjirokastrës kishte njohur 90 përqind të pronësisë për shtetasin grek Evangjeliu dhe nga 5 % dy bashkëpronarët shqiptarë. Sipas dosjes së gjykatës, ekspert Haxhi Musai e ka vlerësuar pronën 920 mijë euro ndërkohë që palët që ziheshin në gjykata për pronësinë, nuk mund ta ndanin atë në pasurinë e paluajtshme. Spiro Çabiri nuk e ka pranuar vendimin e gjykatës në 2011.
Por në 2015, Gjykata e Sarandës vendosi që hoteli ti lihet në pronësi shtetasit grek Dhimitër Evangjeliu dhe ky ti paguante dy shqiptarëve Spiro Cabirit dhe Vangjel Shtukës nga 46 mijë euro secilit për shumën 5% që i takonte gjithsecilit. Gjykata vlerësoi se paratë duhet të jepeshin në një këst të vetëm. Këtë vendim Cabiri e kundërshtoi sërish. Në proces u paraqit edhe Banka ku ishte marrë kredia që me gjithë interesa shkonte tek 150 milionë lekë të vjetra pas kaq vitesh.
Gjykata e riktheu çështjen në shkallën e parë. Në këtë fazë, gjykata nxorri pretendime për aktin e ekspertimit dhe vlerën e objektit pasi nuk ishte përcaktuar vlera e investimeve përgjatë 20 viteve. Në 2016, shtetasi grek Dhimitër Evangjeliu e kundërshtoi në gjykatë. Gjykata e Lartë ku u ankuan të dyja palët, nëpërmjet Kolegjit Civil e riktheu cështjen për gjykim me një trupë të re të Apeli i Gjirokastrës. Dhe do të ishte kjo gjykatë që u kërkonte palëve të paraqesin dokumentacionet mbi pretendimet e tyre.
Njoftimi i plotë i Policisë së Sarandës:
Sarandë/Shpërtheu me tritol një hotel në Sarandë, zbardhet ngjarja dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Grupi i posaçëm hetimor, brenda disa orëve punë intensive profesionale hetimore, zbardhi ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Sarandë.
Identifikohet, kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i shpërthimit dhe shkatërrimit me eksploziv, të hotelit që babai i tij kishte në bashkëpronësi me një shtetas tjetër.
Palët ishin në proces gjyqësor prej disa vitesh, për ndarjen e pronësisë mbi këtë hotel.
Sekuestrohen veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.
Pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Sarandë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët dhe ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijuan veprimet për zbardhjen e ngjarjes.
Falë hetimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, për rreth 12 orë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit:
-S. Ç., 36 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.
Ky shtetas, mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr. 1, Sarandë, dyshohet se ka vendosur një sasi lënde eksplozive, në hotelin që babai i tij, shtetasi S. Ç., 63 vjeç, kishte në bashkëpronësi me shtetasin E. Dh., për shkak të një procesi gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe shtetasi E. Dh., proces i nisur që në vitin 2002, dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të shtetasit E. Dh.
Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Discussion about this post