Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka komentuar raportin e DASH për Shqipërinë ku korrupsioni konsiderohej dominant dhe i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes e sistemin gjyqësor si dhe investigimin e RAI 3 për paktin e refugjatëve Rama-Meloni.
Deputeti demokrat thekson se imazhi i vendit po cenohet gjithnjë e më shumë nga skandalet e panumërta, sipas tij, ku rezultojnë të përfshirë zyrtarë të qeverisë.
“Imazhi i vendit po errësohet nga skandalet, emisioni i RAI 3 është një tjetër provë. Raporti i DASH dhe programi i RAI-it janë thjeshtë vetëm dy ngjarjet e fundit të deshmisë sesi degradon një pushtet absolut në gji të Europes dhe në preherin e ambasadorve”, shprehet Gjekmarkaj.
Gjithashtu, numri dy i Kuvendit ka një vërejtje edhe për SPAK-un i cili sipas tij vepron kur ndonjë zyrtar i përfshirë në afera pasi ata dorëhiqen me urdhër, ndërsa nga ana tjetër tregohet e agresiv ndaj përfaqësuesve të opozitës.
Reagimi i plotë
Raporti i DASH mbi Shqipërinë meriton të pergezohet për të vertetat që ai parashtron! Por konstatimi i tij është tejet i hidhur. Korrupsion në çdo nivel qeverisje është fraza kyçe. E thënë ndryshe kemi një qeveri dhe pushtet lokal të korruptuar. Ju mbyten hajdutet na thonë miqtë. Të gjitha sa po ndodhin në sytë e shqiptarve janë, inceneratoret, sterilizimi, 5D-ja, Tims, e plot bëma. Një dekadencë politike dhe korruptive ka përfshirë qeverinë dhe administratën e Edi Ramës.
Ky zinxhir duhet këputur. Nëpër të përçohet veç korrupsion. Të vjedhësh është çështje gare, kush më shumë, kush më shpejt. Të gjitha problemet e ngritura nga Opozita për shit-blerjen e votës, presionin, përdorimin e administratës, gjejnë aty pasqyrim. Kapja dhe ndikimi qeveritar mbi to shqetësojnë DASH pa mendoni sa shqetësojnë shoqërinë shqiptare të mbytur nga propoganda dhe transformimi i të vërtetës drejt gënjeshtrës.
Çështjet e pavarësisë se gjykatave ndikimi i mazhorancës mbi to janë një tjetër këmbanë. Prej tre vitesh gjykata luan me fatin e Opozitës duke dëmtuar thelbin e demokracisë në vend. Vula dhe simbolet e PD mbahen pëng. Lidershipi i Opozitës në vitin elektoral është i gjithi nën goditje a thua se drejtësia nuk mund t’i bënte verifikimet e veta kohë më parë por veç pak muaj nga zgjedhjet politike.
Themeluesi i pluralizmit është izoluar në kundërshtim me Kushtetutën për t’i denatyruar natyrën pluralizmit për ta shndërruar atë në fasadë, për të ç’aktivizuar opozitën në perballje.
Drejtesia që të meritojë besim nuk mund të vazhdojë të na flasë me parulla, prova e saj e madhe është raporti me Qeverinë. Ajo zë cironkat e qeverisë pasi dorëhiqen me urdhër dhe Opozites nuk i lë kusur gati ta asgjësojë. Edi Rama e bëri të qartë e synon mandatin e katërt me “SPAK dhe turizmin”. Një qeveri e cila ka fuqi magnetike për të mbledhur, joshur e promovuar të gjithë të korruptuarit e ketij vendi i dorëzon me qejf disa toga drejtorësh që të krijojë iluzionin e drejtësisë dhe të ushqejë populizmin.
Imazhi i vendit po errësohet nga skandalet, emisioni i RAI 3 është një tjetër provë. Djalli ka dalë nga shishja atë se kontrollon më as Edi Rama. Populli mund t’i bëjë terbiet të dy. Raporti i DASH dhe programi i RAI-it janë thjeshtë vetëm dy ngjarjet e fundit të deshmisë sesi degradon një pushtet absolut në gji të Europes dhe në preherin e ambasadorve. Opozita është sot i vetmi institucion që funksionon si zë dhe shpresë e shoqërisë. Aleanca me të për të gjitha shtresat është shpëtimi. DASH na vuri diagnozen, ilaçet dhe shërimin ti bëjmë vetë!
Discussion about this post