Kryeministri i vendit Edi Rama së bashku me Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach kanë folur për projektet që do të forcojnë lëvizjen olimpike në vendin tonë.
Pas inaugurimit të zyrave të reja të Komitetit Olimpik Kombëtar, kryeministri Rama është shprehur se nga kjo lëvizje, u japim mundësi të rinjve të shkojnë në Olimpiadë.
Edi Rama: Privilegj për ne që sot kemi këtu të pranishëm presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Nuk ka nevojë të bëjmë prezantime, është një vizitë e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe më vjen mirë që sot ndamë me presidentin disa rezultate të para të procesit të lëvizjes olimpike në shkolla që sapo ka hedhur hapin e parë të rëndësishëm dhe më tej që në shkolla të kemi kampionate sportive mes shkollave, të vendosim një bazë të munguar për shumë vite dhe patjetër të kemi sportistë që pastaj të ngjiten në shkallë të tjera dhe të shkojnë deri në olimpiadë. Të kemi këtë lëvizje për të ju dhënë mundësi fëmijëve të shkëputen nga bota virtuale, nga kompjuterat, nga smartphone dhe të socializohen më shumë. Të gjitha janë të dobishme, por një fëmijëri pa sportin është një fëmijëri e cënuar. Na vjen shumë mirë që presidenti dhe skuadra e tij e çmuan sa kemi bërë dhe u ndjenë të përfshirë dhe do të na mbështesin në dijen e madhe që ka Komiteti Olimpik. Folëm dhe për Fshatin e ri Olimpik dhe për disa projekte të reja.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar është shprehur mjaft i lumtur që ndodhet në vendin tonë dhe që sheh procesin e zhvillimit të sportit në Shqipëri.
Discussion about this post