Ekspertët shprehen se vendet europiane po i afrohen një recesioni gjate tremujoreve te ardhshëm të 2023
Rritja ekonomike e eurozonës u ngadalësua në tremujorin e tretë ndërsa inflacioni vijon të rritet. Eurostat raporton se vendet europiane po i afrohen një recesioni gjatë tremujorëve të ardhshëm. Zyra e statistikave e Bashkimit Evropian vlerësoi se produkti i brendshëm bruto në 19 vendet që ndajnë euron u rrit 0.2 për qind nga tremujori në tremujor.
Ekonomia e eurozonës po fillon të ndjejë ndikimin e inflacionit, veçanërisht të çmimeve të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës, dhe rritjes së normave të interesit dhe problemeve të vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit.
Rritja e çmimeve të konsumit në 19 vendet që ndajnë euron u përshpejtua në 10.7% në tetor nga 9.9% një muaj më pare. Inflacioni në Gjermani, Itali dhe Francë u rrit më shumë se parashikimi. Njerëzit tanimë po e ndjejnë gjithnjë e më shumë koston e lartë të jetesës e cila sipas ekspertëve do të rritet edhe më shumë gjatë vitit të ardhshëm.
“Qeveria belge ka indeksuar çmimin e energjisë elektrike, gazit, e kështu me radhë. E gjithë kjo është një problem i vërtetë, sepse unë duhet të bëj zgjedhjen midis ngrohjes në shtëpinë time ose blerjes së diçkaje për të ngrënë”, ka thënë studenti i arkitekturës që jeton në Bruksel Simon Duchene.
Belgjika, Letonia dhe Austria kanë regjistruar tashmë një rënie tremujore të PBB-së në periudhën korrik-shtator. Çmimet e gazit, ndonëse ende të larta, janë gjithashtu shumë të ulëta nga kulmi i tyre në fund të verës. Javën e kaluar shefja e Bankës Qëndrore Europiane Christine Lagarde dha një perspektivë të zymtë për rritjen ekonomike.
Discussion about this post