Nga 12% që është kufiri minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 2% ky kufi ka arritur në 14%. Shtesa konservuese do të vazhdojë të rritet me 0.5% edhe vitin e ardhshëm.
Që nga data 1 janar e këtij viti, bankat janë të detyruara të përmbushin një shtesë të mëtejshme të kërkesave rregullatore për kapital. Shtesa konservuese e kapitalit nga fillimi i këtij viti ka arritur në nivelin 2%, nga 1.5% që ishte detyrimi për tu përmbushur deri në fund të vitit të kaluar.
Shtesat markoprudenciale të kapitalit i shtohen kërkesave rregullatore bazë të kapitalizimit të bankave, që përcaktohen në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”. Nga 12% që është kufiri minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 2% ky kufi ka arritur në 14%. Shtesa konservuese do të vazhdojë të rritet me 0.5% edhe vitin e ardhshëm.
Por, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike. Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka OTP Albania. Aktualisht, BKT ka një kërkesë shtesë në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit prej 1.5% (në total 15.5%), Credins dhe Raiffeisen janë të detyruara të plotësojnë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit 1% më të lartë se bankat e tjera (në total 15%), ndërsa OTP 0.5% më shumë se bankat e tjera (në total 14.5%).
Në fund të tremujorit të tretë 2022, kapitalizimi i sektorit bankar arriti nivelin më të lartë historik. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 19.26%, nga 18.99% që kishte qenë një tremujor më parë dhe 18.3% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e ndjeshme e kapitalit të sektorit në vitet e fundit i detyrohet kryesisht shtesave makroprudenciale, por edhe vendimeve të Bankës së Shqipërisë për pezullimin e përkohshëm të shpërndarjes së dividendëve. Rregullorja për shtesat makroprudenciale të kapitalit u miratua që në mesin e vitit 2019 dhe ato do të aplikohen gradualisht deri në vitin 2024.
Kërkesat për një kapitalizim më të lartë të bankave janë në linjë me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse homologe në Europë pas krizës financiare dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare kundrejt rreziqeve të mundshme në të ardhmen. Sektori bankar ka shfaqur pakënaqësi të hapura për rritjen e kërkesave të kapitalizimit, duke i cilësuar ato si të tepruara dhe barrë shtesë për aktivitetin e bankave tregtare. Bankat argumentojnë se Bashkimi Europian i aplikon shtesat makroprudenciale sipër një niveli bazë të Raportit të Mjaftueshmërisë së Kapitalit prej 8%, ndërsa Shqipëria ka një nivel bazë 50% më të lartë, në 12%.
Për të qenë në linjë me kërkesat e shtuara rregullatore, vitet e fundit disa prej bankave po përdorin edhe instrumente të kapitalit rregullator shtesë, si obligacionet korporative me ofertë private. Në diskutimet mes palëve, Banka e Shqipërisë ka lënë të kuptohet se kërkesa bazë e mjaftueshmërisë së kapitalit mund të ulet në nivelet e BE-së vetëm pasi të jetë certifikuar ekuivalenca e mbikëqyrjes. Ekuivalenca e mbikëqyrjes duhet të certifikohet nga organizmi mbikëqyrës i BE-së, Autoriteti Bankar Europian (EBA), por ky proces ende nuk një afat të përcaktuar.
Megjithatë, vitin e kaluar Banka e Shqipërisë ka kryer një vlerësim të pavarur të ekuivalencës së kuadrit mbikëqyrës dhe rregullativ, sipas metodologjisë së publikuar nga EBA, me asistencën teknike të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (EBRD) dhe PricewaterhouseCooper (PwC). Analiza, që përfundoi në dhjetor të vitit 2021, doli në përfundimin se kuadri rregullativ e procedurial, si dhe praktikat mbikëqyrëse, janë në një nivel të lartë ekuivalence (afërsisht në masën 80%) dhe të përafruara me standardet e aplikueshme në vendet e BE-së.
Discussion about this post