Sot pritet që të mbahet seanca e radhës plenare në Kuvend dhe është programuar një debat për integrimin europian. Ky debat vjen në lidhje me raportin e KE për progresin e Shqipërisë.
“Do të ketë një sërë debatesh ditën e sotme në këtë seancë plenare e cila do të nisë me këtë mocion ku do të jetë në fokus pikërisht raporti i BE-së për Shqipërinë lidhur me gjithçka që ka arritur, por edhe problematikat deri më tani sa i përket integrimit. Janë parashikuar 4 orë diskutimi. Grupi i PS do të ketë minutazhin më të gjatë dhe më pas PD dhe grupet e tjera parlamentare. Do të ketë diskutime për disa prej problematikave të shfaqura në raportin e Komisionit Europian që lidhen kryesisht me korrupsionin, por edhe disa shqetësime të tjera, për disa nisma të qeverisë dhe që pritet të kenë debate ditën e sotme duke qenë se janë ngritur si shqetësime nga ana e opozitës”.
“Ditën e sotme do të ketë edhe një sërë projektligjesh të tjera që janë me karakter ekonomik. Sa i përket seancave të tjera në vijim, ky muaj do të ketë disa çështje të rëndësishme për të miratuar nga ana e ligjvënësve, pasi do të miratohet marrëveshja për portin e ri të Durrësit, e cila është kthyer në debatin kryesor të politikës ditët e fundit për shkak se PD hedh akuza mbi sipërmarrësit, por edhe ndaj qeverisë, për mënyrën si i ka kryer procedurat. Në çdo diskutim, në komisionet parlamentare ka pasur debate. Më 24 Nëntor pritet që të miratohet kjo marrëveshje, ndërkohë sa i përket buxhetit të vitit 2023 deri më tani është miratuar në parim me votat e mazhorancës. Pritet të miratohet nen për nen duke i dhënë kështu votën e finalizuar për buxhetin e vitit 2023. Sipas opozitës nuk është një buxhet me fokus qytetarët në kushtet kur po përballen me krizën energjetike, apo rritjen e çmimeve. Të kundërtën pretendon qeveria, e cila e sheh si mburojë vitin e ardhshëm”.
Discussion about this post