Kuvendi i Shqipërisë i ka ndërprerë pagën si deputet ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili prej disa muajsh ndodhet në “arrest shtëpie”, në lidhje me aferën e kompleksit Partizani.
Kuvendi i ka ndërprerë Berishës çdo përfitim financiar si deputet për shkak se prej disa muajsh nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë plenare, apo në mbledhjet e Komisioneve Plenare.
Jo vetëm pagën, Sali Berisha nëse nuk paraqitet në Kuvend deri më 11 qershor rrezikon të humbasë edhe mandatin si deputetet i Partisë Demokratike. Kjo pasi kushdo që nuk merr pjesë në Kuvend për 6 muaj i digjet mandati.
Berisha disa herë ka bërë kërkesë që t’i lejohet dalja nga shtëpia që të marrë pjesë në Kuvend, kërkesë kjo që është rrëzuar disa herë radhazi.
Pak ditë më parë Gjykate e Posaçme (GJKKO) rrëzoi kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe të dhëndëri të tij, Jamarbër Malltezi për të hequr masën “arrest shtëpie”.
GJKKO rrëzoi kërkesën pasi në seancë kanë qenë të pranishëm dhe prokurorët e SPAK, të cilët kanë paraqitur fakte se Berisha ka shkelur masën e “arrestit në shtëpi”, pasi ka dhënë intervista si dhe ka futur në banesë mjete teknike për komunikim.
Ata janë shprehur se për shkak se Berisha nuk ka respektuar masën e sigurisë, masa nuk mund të ndryshojë.
Kujtojmë që Sali Berisha është vënë nën hetim nga SPAK për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani në Tiranë. Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi ranë në pranga për të njëjtën çështje, por për ish kryeministrit nuk u mor e njëjta masë.
Shkak për këtë gjë është bërë mosha e thyer e Berishës, i cili dy muaj më parë festoi ditëlindjen e 79-të. Si dhe pasaporta e ish-kryeministrit është bllokuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, duke i hequr atij mundësinë për t’u larguar jashtë vendit. Mirëpo ekziston mundësia që GJKKO të vendosë dhe arrest me burg, në rast se e kërkon Prokuroria, pasi pika 2 e nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale thekson se në raste të veçanta, masa e sigurisë mund të ketë këtë formë shtrënguese, kur vepra penale e konsumuar ka parashikim dënimi deri në 10 vite.
Ai është një ndër zyrtarët më të lartë të shtetit për të cilin kërkohet një masë sigurimi, duke u bërë i pari ish-president i Republikës që ka hesape të hapura me drejtësinë.
Discussion about this post