Katërmbëdhjetë kandidatë kanë shprehur interes për të marrë drejtimin e institucionit të Avokatit të Popullit. Ata janë emra të spikatur të politikës, juristë, ekspertë të çështjeve ligjore dhe anëtarë të institucioneve të drejtësisë.
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka nisur këtë të mërkurë seancat dëgjimore me kandidatët dhe i pari që është paraqitur, është profesori i së drejtës Alket Jaupi.
Ai ka një përvojë të gjerë pune në fushën e Avokatisë dhe në administratën publike. Ndër pozicionet më të rëndësishme të mbajtura prej tij, janë ato të Sekretarit të Përgjithshëm të institucionit të Avokatit të Popullit si dhe i Këshilltarit Juridik të Avokatit të Popullit.
Alket Jaupi është gjithashtu i përfshirë prej kohësh në fushën akademike, si lektor në lëndën “E drejta Administrative”, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, dhe në disa universitete private.
Për të zgjedhur emrin e ri të Avokatit të Popullit duhet bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës, me 84 vota. Më poshtë, janë emrat e 14 kandidatëve që kanë shprehur interes dhe kanë dorëzuar aplikimet pranë Kuvendit, për të marrë drejtimin e Avokatit të Popullit.
- Alket Jaupi
- Lefterije Luzi
- Besim Ndregjoni
- Robert Gajda
- Endri Papajorgji
- Sokol Hazizaj
- Drita Avdyli
- Ilir Rusmali
- Vitore Tusha
- Dardan Mustafa
- Edison Frangu
- Erald Aga
- Tartar Bazaj
- Bledar Dervishaj
Discussion about this post