Kryeministri Edi Rama deklaron se SPAK-u ka mbështetjen maksimale të qeverisë. Gjatë një interviste për Nacionale, Rama nënvizon “të merresh në hetim nga SPAK është një gjë, që SPAK-u të të marrë në pyetje si person në dijeni apo sqarime, është një gjë tjetër. Duhet të mësohemi me këtë”, u shpreh Rama.
“Të gjitha këto që po ndodhin provojnë se se ne po bëjmë si duhet detyrën që kemi marrë përsipër karshi njerëzve. E para, të bëjmë një reformë drejtësie për ta pavarësuar drejtësinë nga politika. E dyta, t’i qëndrojmë vendosmërisht zotimit se ne nuk e kontrollojmë drejtësinë dhe nuk futemi në këtë punë. Dhe e treta, pse e kemi bërë ne këtë? E kemi bërë që pikërisht të ndodhin këto gjëra. Nuk e kemi bërë që mos të ndodhin këto gjëra”, tha Rama.
Kryeministri shtoi më tej se “fakti që ne i kemi dhënë drejtësisë mundësi të ketë një grykë zjarri që gjuan, pavarësisht se ti je në pushtet, a je në opozitë dhe që furnizohet me municion falë vullnetit tonë, sepse kanë pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë, kanë mbështetje maksimale, nuk komentojmë kurrë për ta, kjo duhet t’i gëzojë njerëzit”.
“Për mua është lajm i mirë kur një parazit që ushqehet në trupin e shteti shqiptar, nuk është më në pozicionin që të vazhdojë të ushqehet me trupin e shtetit shqiptar. Kjo është pozitive”, theksoi ai.
Kreu i ekzekutivit nënvizon se përgjegjësia e tij është “që ky vend të bëhet një vend që askush të mos jetë mbi ligjin dhe ku drejtësia për herë të para në histori që nga 1912 dhe në vazhdim të historisë që vjen, mos të jetë në varësinë e pushtetit politik”.
“Luftova që në fillim që Shqipëria të ketë një moment kthese ku drejtësia të godasë majtas djathtas pa pyetur sa lart je, as se çfarë lidhje ke”, deklaroi kryeministri Rama.
Po ashtu, Rama ka deklaruar se Plani i Ri i Rritjes ekonomike nga BE për vendet e rajonit “na jep mundësinë që ne të mund të hyjmë në BE përmes zonave të caktuara të sistemit të BE-së dhe të marrim ato përfitime që përndryshe do t’i merrnim kur të bëheshim anëtarë të BE-së”.
Rama u ndal te zhvillimet e samitit Rajonal të Ballkanit Perëndimor me BE mbajtur pak ditë më parë në Kotorr për zbatimin në vijim të këtij plani ekonomik.
“Sot që flasim të gjithë shqiptarët që janë qytetarë të Bashkimit Evropian, qofshin nga Shqipëria, qofshin nga Kosova, kur çojnë para në Shqipëri apo në Kosovë, kanë një kosto shumë të lartë se sa nëse do të transferonin paratë që do të çonin nga Franca në Zvicër apo nga Suedia në Zvicër. Një nga gjërat që do ndodhin, të paktën për Shqipërinë kjo gjë do të ndodhë besoj deri në fund të vitit kemi bërë goxha punë për këtë, është se nuk do ketë më barrë ekstra për shqiptarët e Shqipërisë që transferojnë para nga Franca, Gjermania, Italia në Shqipëri, por do të jetë njësoj sikur do t’i transferonin në një vend brenda për brenda BE-së”, nënvizoi Rama.
Ai shtoi më tej se “kështu janë korsitë e gjelbra. Kemi një sërë pikash kufitare si rajon me vendet e BE-së, do të jetë i njëjti regjim si mes vendeve të BE-së. Plus përkundër reformave që kemi marrë përsipër që lidhen me anëtarësimin”.
Shefi i qeverisë nënvizoi gjithashtu se “janë edhe 6 miliardë midis 2024-2027 dhe do të ndahen pavarësisht se çka bën ti. Do jepen vetëm në bazë të performancës”.
“E mira e këtij plani, është që askush nuk mban peng më asnjë Shqipëria s’ka problem as me Serbinë, as me Kosovën as më të të tjerët, por do bëjë punë e vet. Kush ka probleme me tjetrin nuk do të përfitojë nga plani”, tha më tej Rama.
Discussion about this post