Lirimi i Brezit Frekuencor 700 MHz (njohur si DD2), nga Autoriteti i Medieve Audiovizive (AMA) është një nga detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë drejt respektimit të afateve të vendosura nga BE dhe Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU).
Për shkak të rëndësisë së këtij procesi, si dhe afateve të afërta në kohë për realizimin e tij, AMA zhvilloi një takim konsultativ me përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe përfaqësuesit teknikë të operatorëve kombëtar audioviziv publik dhe privat.
Sekretarja e Përgjithshme e Autoritetit të Medieve Audiovizive (AMA), Romelda Rrapollari deklaroi sot se zhvillimet e vrullshme dhe risitë teknologjike kanë sjellë nevojën për rritje të kapaciteteve të transmetimit sidomos në rrjetet e lëvizshme mobile, çka e vë tregun audioviziv përballë sfidave të reja.
“Prej gati 1 viti, AMA është angazhuar në dhënien e kontributit të saj në dy dokumente të rëndësishëm pjesë përbërëse të komponentit dy, të projektit mbi asistencën teknike në fushën e telekomunikacionit, përfituar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku parashikohet vlerësimi i kostove të migrimit dhe plani i migrimit, në kuadër të lirimit të brezit DD2. Zhvillimet e vrullshme dhe risitë teknologjike kanë sjellë nevojën për rritje të kapaciteteve të transmetimit sidomos në rrjetet e lëvizshme mobile, çka e vë tregun audioviziv përballë sfidave të reja”.
Ajo falenderoi për mbështetjen zëvendësministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj.
Rrapollari shtoi se në zbatim të angazhimeve ndërkombëtare që Shqipëria ka ndërmarrë, por edhe të akteve të brendshme ligjore, jemi të detyruar që të lirojmë brezin 700 MHz nga transmetimet audiovizive dhe dhënien e tij për përdorim për sistemet e telefonisë së lëvizshme me brez të gjerë 5G.
Rrapollari theksoi se hedhja e këtij hapi do të jetë një sfidë për të gjitha palët.
“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e këtij procesi, pasi vetëm në vitin 2020 së bashku përfunduam kalimin në transmetime numerike, çka pa diskutim është shoqëruar me kosto financiare por edhe me sfida të natyrave të tjera. Por, ndonëse po flasim për një periudhë kohore relativish të shkurtër jemi të detyruar të hedhim edhe këtë hap, i cila do të jetë një sfidë tjetër e Rregullatorit dhe jo vetëm”, u shpreh Rrapollari.
Ajo informoi se gjatë këtij viti, AMA është angazhuar në takime bilaterale dhe multilaterale me vendet e rajonit me qëllim koordinimin e Planit të Ri Frekuencor pa përfshirë brezin DD2.
“Nuk ka qenë aspak e lehtë që të merrej dakordësia e 7 vendeve fqinjë për modifikimin e Planit GE 06, duke konsideruar faktin e reduktimit të ndjeshëm të brezit UHF, numrit të lartë të operatorëve audioviziv kombëtar në tregun shqiptar (në total 7 rrjete numerike ndërkohë që bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare si SEDDIF dhe Adriatik dhe Jon, vendet fqinjë kanë parashikuar vetëm 6 rrjete) si dhe papajtueshmërive me vendet fqinje për shkak të ripërdorimit të frekuencave të ngjashme në allotment kufitare. Pas shumë negociatave, në fillim të muajit shtator finalizuam dakordësinë në nivel allotmenti të planit të ri numerik nga të gjithë fqinjët, duke i hapur rrugë hartimit të planit të migrimit”, deklaroi sekretarja e përgjithshme e AMA-s, Rrapollari.
Zyrtarja e lartë tha se në të gjithë këtë proces, AMA ka pasur në vëmendje specifikat dhe kërkesat e operatorëve dhe është përpjekur të ruajë interesin e tyre.
“Pavarësisht faktit se ne jemi përpjekur të akomodojmë të gjitha ndjeshmëritë e operatorëve është e rëndësishme që sot ne të diskutojmë në detaje impaktin e këtij plani tek operatoret si dhe hapat e implementimit të tij”, theksoi ajo.
Discussion about this post