Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Liz Allen e ka konsideruar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si hap thelbësor në jetësimin e synimeve euro-atlantike të Kosovës.
Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit të zhvilluar të dielën me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Konfirmoj se ne mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve euro-atlantike, përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe e di se kjo është me rëndësi për ju. Diskutuam për hapin thelbësor në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës, Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë Allen.
Bërja e hapave drejt Asociacionit ka qenë kusht për Kosovën edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës – organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut – më herët gjatë javës.
Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjatë muajit maj do të dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një propozim për formim të Asociacionit, mirëpo zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë thënë se diçka e tillë është e pamjaftueshme për të plotësuar kushtin.Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës mblidhet një herë në vit dhe mbetet e paqartë se kur Kosova do të mund të bëhet anëtare e organizatës.
Discussion about this post