Gjykata Kushtetuese po mban sot një seancë ku po shqyrton padinë e Partisë Demokratike lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se Kuvendi ka sfiduar Gjykatën Kushtetuese me mos zbatimin e vendimit të parë.
“Rreth dy vite më parë grupi ynë depozitoi në Kuvend kërkesë për të shqyrtuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës. Pas zvarritjes, për herë të parë një vendim i marrë nga GJK është sfiduar nga Kuvendi përmes shpalljes së vetes sovran ndaj vendimeve të GJK.
Mandati i Xhaçkës tashmë edhe pak edhe mbaron vetë. Ishim të dyzuar nësë duhet të vinim në GJK apo t’i lëmë turpin e kësaj çështjeje mazhorancës. Vendosëm që duhet të vinim sepse sfida ndaj autoritetit e dinjitetit të GJK është çështje e çdo ligjvënësi që është betuar mbi Kushtetutë”, tha ai.
Kujtojmë se më 11 Prill pas disa orëve debate Kuvendi votoi kundër dërgimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, siç kjo e fundit urdhëroi më vendimin e janarit 2023.
Kërkesa e opozitës u rrëzua me 72 vota kundër të Partisë Socialiste, përkundrejt 32 votave pro të deputetëve të opozitës që mbështetën dërgimin e çështjes së mandatit të deputetes në Kushtetuese. Ndërkohë, më 24 prill opozita dërgoi sërish në Gjykatën Kushtetuese mocionin për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Bardhi aso kohe tha se kërkesa kishte firmat e 44 deputetëve të opozitës dhe të gjithë formacionet janë bashkuar për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shprehet për mandatin e Olta Xhaçkës. Sipas opozitës, Olta Xhaçka është në konflikt interesi, duke qenë se bashkëshorti i saj, ish deputeti socialist Artan Gaçi, ka përfituar statusin e investitorit strategjik, për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut.
Vetë Xhaçka ka deklaruar se ajo nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, dhe se statusi që ka përfituar bashkëshorti i saj nuk parashikon që diçka e tillë të ndodhë. Ajo akuzon opozitën se e ka përdorur çështjen politikisht, me të pavërteta dhe shpifje.
Discussion about this post