Ministri Brendshëm Bledi Çuçi, së bashku me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela nënshkruan marrëveshjen për “Mbrojtjen e Monedhave”.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një konferencë tha se fenomeni i falsifikimit duhet të goditet në kohë. Ndër të tjera ai u shpreh se së fundmi të dhënat janë pozitive pasi ka një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim.
“Të dhënat e fundit tregojnë një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim, ku për vitin 2022 numri total është vetëm 343 copë, kundrejt një gjendjeje mesatare kartëmonedhash në qarkullim prej 157.5 milionë copësh ose 2.2 copë kartëmonedha të falsifikuara për 1 milion copë në qarkullim, kundrejt 5.4 në vitin 2021. Ndërsa, sa i përket monedhave metalike, prerja 50 Lekë vijon të jetë e vetmja monedhë e falsifikuar, në sasi të papërfillshme, me vetëm 79 copë, në vitin 2022, kundrejt 250 milionë copë monedhash në qarkullim. Treguesi tepër i ulët i kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare të falsifikuara kundrejt kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim, e rendit Shqipërinë ndër vendet me treguesin më të ulët të kartëmonedhave të falsifikuara” tha Sejko ndër të tjera.
FJALA E PLOTË:
Është kënaqësi e veçantë për mua që në emër të Bankës së Shqipërisë t’ju uroj mirëseardhjen në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional midis Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Bankës së Shqipërisë. Kjo marrëveshje shënon kurorëzimin e një pune voluminoze të nisur pesë vite më parë, me kontributin intensiv të përfaqësuesve të tre institucioneve tona.
Megjithëse njerëzit gjithnjë e më shumë po përdorin pagesat digjitale, paraja fizike apo thënë ndryshe cash-i, mbetet një domosdoshmëri dhe luan një rol të rëndësishëm në jetën e gjithsecilit prej nesh. Kartëmonedhat dhe monedhat metalike janë e vetmja formë e parasë që mund të zotërohet dhe përdoret drejtpërdrejt nga kushdo, pa qenë nevoja për infrastrukturë, institucione ndërmjetësuese apo sisteme.
Banka e Shqipërisë përfaqëson institucionin qendror që ka të drejtën kushtetuese ekskluzive të emetojë kartëmonedhat dhe monedhat kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Ruajtja e integritetit dhe besimit të publikut tek monedha si mjet pagese është funksion kryesor dhe përgjegjësi institucionale e përcaktuar me ligj për BSH-në. Parandalimi dhe mbrojtja e monedhave ndaj falsifikimit është një sfidë e përbashkët e të gjitha autoriteteve kompetente kombëtare. Prandaj, angazhimi i përbashkët dhe koordinimi i veprimtarisë mes tyre janë domosdoshmëri, të cilat synohen të arrihen nga kjo marrëveshje, e vlerësuar si mënyra e duhur dhe më efektive për parandalimin, zbulimin dhe goditjen në kohë të fenomenit të falsifikimit të monedhave në vendin tonë.
Si autoriteti i vetëm që emeton monedhën kombëtare, banka qendrore ka ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar falsifikimin dhe për të ruajtur besimin e publikut te monedha jonë, Leku. Në periudhën 2019 – 2022, Banka e Shqipërisë emetoi dhe hodhi në qarkullim serinë e re të kartëmonedhave shqiptare, prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës, me elemente të reja sigurie, duke i bërë ato më të sigurta ndaj falsifikimit.
Të dhënat e fundit tregojnë një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim, ku për vitin 2022 numri total është vetëm 343 copë, kundrejt një gjendjeje mesatare kartëmonedhash në qarkullim prej 157.5 milionë copësh ose 2.2 copë kartëmonedha të falsifikuara për 1 milion copë në qarkullim, kundrejt 5.4 në vitin 2021. Ndërsa, sa i përket monedhave metalike, prerja 50 Lekë vijon të jetë e vetmja monedhë e falsifikuar, në sasi të papërfillshme, me vetëm 79 copë, në vitin 2022, kundrejt 250 milionë copë monedhash në qarkullim. Treguesi tepër i ulët i kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare të falsifikuara kundrejt kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim, e rendit Shqipërinë ndër vendet me treguesin më të ulët të kartëmonedhave të falsifikuara.
Pavarësisht shifrave të ulëta, ne jemi të vetëdijshëm se duhet të jemi më vigjilentë dhe proaktivë, pasi falsifikuesit përpiqen të ecin gjithashtu me hapin e teknologjive të reja për aktivitetet e tyre kriminale. Në këtë frymë, Banka e Shqipërisë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruajnë sot këtë marrëveshje bashkëpunimi, si një përpjekje e mëtejshme për të forcuar kuadrin institucional dhe për të qartësuar protokollet operacionale të bashkëpunimit, në fushën e mbrojtjes së monedhave kundër falsifikimit.
Kjo marrëveshje e shtrin veprimin e saj jo vetëm mbi monedhën kombëtare Lek, por edhe mbi monedhën e përbashkët evropiane Euro. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Qendrore Evropiane për shkëmbimin e informacionit në fushën e mbrojtjes së kartëmonedhës Euro nga falsifikimi.
Në këndvështrimin tonë si bankë qendrore, dokumenti i sotëm ka një rëndësi të veçantë pasi përcakton shtyllat kryesore të veprimtarisë së përbashkët dhe njëkohësisht respekton punën e pavarur institucionale të secilës palë në zbatim të ligjit. Bashkëpunimi dhe fryma e mirëkuptimit e treguar gjatë përgatitjes së këtij dokumenti shoqëron përmbajtjen e çdo paragrafi të tij.
Banka e Shqipërisë, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, vë në dispozicion të institucioneve ligjzbatuese të gjithë përvojën e saj njerëzore, integritetin dhe aftësitë profesionale, si dhe bazën e nevojshme teknike në fushën e analizës, identifikimit dhe klasifikimit të çdo monedhe të dyshuar.
Ndër vite, roli i Bankës së Shqipërisë në analizën e kartëmonedhave dhe monedhave të falsifikuara në qarkullim ka mundësuar gjithashtu krijimin e një baze me të dhëna historike, të cilat përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, por që mund të përdoren nga institucionet pjesë e kësaj marrëveshjeje në punën e tyre të përditshme në luftën kundër fenomenit të falsifikimit.
Palët e angazhuara në këtë marrëveshje marrin përsipër të transmetojnë/transferojnë mostra të kartëmonedhave dhe monedhave të dyshuara dhe, nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë angazhohet të centralizojë ekspertizën dhe klasifikimin e mostrave të monedhave kombëtare apo të huaja të zbuluara në qarkullim, si dhe ato gjatë procedimit penal, duke e konsideruar këtë proces si mënyrën më të mirë për njohjen reale dhe monitorimin e fenomenit të falsifikimit në vendin tonë.
Banka e Shqipërisë, gjithashtu, ka marrë angazhimin që të njoftojë në kohë reale institucionet përkatëse për rastet me monedha të falsifikuara të zbuluara në qarkullim në territorin e vendit tonë. Trajnimi dhe shkëmbimi i eksperiencës është një angazhim tjetër institucional i Bankës Shqipërisë në raport me dy palët e tjera nënshkruese të marrëveshjes.
Të nderuar pjesëmarrës,
Kjo marrëveshje dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në rritjen në vijimësi të cilësisë dhe sigurisë së monedhës kombëtare në qarkullim. Monedha kombëtare është një nga dimensionet që përfaqëson Shtetin Shqiptar, prandaj dhe ne punojmë për garantimin e integritetit të pacenueshëm të saj.
Nëpërmjet nënshkrimit të saj, Banka e Shqipërisë përmbush sot dhe një nga prioritetet për zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi në përqasje me standardet evropiane. Gjej me vend të theksoj se Banka e Shqipërisë mbetet e përkushtuar për të dhënë kontributin e saj në procesin e integrimit evropian, si një bankë qendrore moderne, e denjë për të qenë pjesë e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.
Shkëmbimi i rregullt i informacionit, si dhe zhvillimi i komunikimeve dhe takimeve periodike do të ndihmojnë në drejtim të përmirësimit të analizave mbi fenomenin, në mënyrë që secila palë të përmbushë përgjegjësitë e saj ligjore në fushën e parandalimit dhe të mbrojtjes së monedhës nga falsifikimi.
Kuadri i ri parashikon një formë bashkëpunimi më të strukturuar dhe më të efektshme midis institucioneve të përfshira, në përgjigje të zhvillimeve në fushën e mbrojtjes së monedhave kundër falsifikimit. Firmosja e kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë Bankën e Shqipërisë në ushtrimin e rolit të saj në garantimin e stabilitetit të sistemit financiar në vend dhe cilësisë së monedhës kombëtare në qarkullim.
Duke përfituar nga rasti, dëshiroj të falënderoj Ministrinë e Brendshme, Prokurorinë e Përgjithshme, si dhe përfaqësuesit e tyre për kontributin e vyer dhënë në finalizimin e kësaj marrëveshjeje, si dhe të shpreh angazhimin e Bankës së Shqipërisë për një bashkëpunim sa më konkret në kuadër të saj.
Gjej rastin të tërheq vëmendjen e publikut të gjerë se, përveç institucioneve përgjegjëse, secili prej nesh mund të japë kontributin e tij modest në ruajtjen e besimit në monedhën tonë kombëtare, duke kontrolluar kartëmonedhat në përdorim nëpërmjet metodës “Prek, Shiko dhe Lëviz”. Kjo metodë ka qenë pjesë e fushatës tonë informuese për prezantimin e serisë së re të kartëmonedhave Lek dhe vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes tonë të vazhdueshme.
Një popullsi që njeh elementet e sigurisë së kartëmonedhave është një kontribut i shtuar në përpjekjet tona institucionale për të parandaluar futjen e parave të falsifikuara në sistemin financiar, si dhe për të minimizuar humbjet ekonomike individuale.
Discussion about this post