E hënë e trishtë kjo e këtij korriku të nxehtë. Kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare, ka mbyllur sytë përgjithmonë. Zemra e të madhit Kadare pushoi mëngjesin e kësaj të hëne. Newsbomb.al mëson se gjeniu i letërsisë u shua pas një arresti kardiak.
Shkrimtari i madh shqiptar u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare duke lënë pas një dhimbje te të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër, punojnë dhe të rriten me shkrimet dhe librat e tij.
Ismail Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Përgjatë jetës së tij ai është vlerësuar dhe nderuar me dhjetëra çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Discussion about this post