Ashtu si dhe pritej Ilir Meta është zgjedhur Presidenti i Partisë së Lirisë. Në Konventën e zhvilluar këtë të shtunë Meta garoi kundër kundërshtarit të tij Faik Basha.
Presidenti Meta, i cili kësaj here nuk do të jetë në krye të shtetit, por të partisë së tij, arriti të merrte 690 vota, ndërsa Faik Basha vetëm 27 vota.
Ndërkohë, në postin e zv.Presidentes u zgjodh Erisa Xhixho, e cila arriti të merrte 680 vota.
Konventa e Partisë së Lirisë e cila u zhvillua këtë të shtunë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, përfundoi punimet pas 6 orësh. Gjatë kësaj Konvente u prezantuan objektivat e Partisë së Lirisë, si dhe u rritën financimet për gratë e partisë, kjo me propozim të Monika Kryemadhit.
Gjatë fjalës së tij Meta ashpërsoi tonet dhe ndau rrugët me ata që cilësohen si “tradhtarë” brenda kësaj force politike, apo persona që punojnë kundër saj, duke thënë se nëse nuk duan të jenë krah tij mund të ndahen si miq.
Gjithashtu, Meta nuk “kurseu” akuzat as për ndërkombëtarët. Fokusi ishte te ambasadori italian për të cilin tha se do të shpallte “non-grata” sepse ka dalë kundër dekretit të presidentit.
Discussion about this post