Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka bërë bilancin e arritjeve dhe pritshmërive në fushën e arsimit përgjatë vitit 2022, duke theksuar se po punohet për të rritur ndjeshëm numrin e mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe, si dhe abetaren e përbashkët unike Shqipëri-Kosovë.
Kushi u shpreh se gjatë këtij viti ministria e Arsimit ka rritur numrin e mësuesve nddihmës që janë me profil të arsimit special. Sipas saj ka ndërgjegjësim të rritur nga nxëenësit dhe prindërit për cilësinë e këtij shërbimi.
“Programi i rindërtimit po vazhdon me ritme të shpejta.Përfitues është i gjithë komuniteti përreth tyre, Janë 35 projekte të përfunduara, shkolla dhe kopshte. Janë dhe 12 shkolla të reja të Tiranës që arritën të hapeshin dhe janë investime shumë të mira e me perspektivë për vetë rritjen. Kemi ndërhyrë gjatë vitit 2022 në të gjitha aspektet e cilësisë së shërbimeve arsimore. Kemi patur vëmendje të shtuar për nxënësit me aftësi ndryshe gjatë vitit 2022.
Për nxënësit me aftësi të kufizuar ne kemi rritur ndjeshëm mësuesit ndihëms, që janë me profil të arsimit special. Një mësues ndihmës shërben për 2-3 nxënës më aftësi ndryshe. Nuk i përmbushim 100% nevojat por shpresojmë që shumë shpejt mësuesit të jenë të gjithë të arsimuar me shërbim special.Qëllimi është edhe t’i kualifikojmë e trajnojmë që puna e tyre të jetë më cilësor.
Kemi ndërhyrë edhe te punonjësit psiko social që të jetë shërbim i standartizuar. Kemi 880 punonjës psikosocial. Ka një ndërgjegjësim të rritur nga vetë nxënësit dhe prindërit. Objektivi ynë është që në të gjitha shkollat të kemi oficerë sigurie. Këta oficerë bëjnë një trajnim 3 mujor në mënyrë që të kenë aftësitë e duhura dhe për të siguruar dhe parandaluar problematikat”, u shpreh ministrja Kushi.
Ndër të tjera ajo foli edhe për Abetaren e Përbashkët, të cilën e cilësoi si një krenari.
“Abetarja e përbashkët unike, krenari Ministrisë sonë dhe të Kosovës. Kemi një tekst të ri dhe unik për shkollat në Shqipëri dhe Kosovë, i cili është përshtatur me kushtet e reja. Vitin e ardhshëm duam që kjo abetare të jetë në të gjitha trevat shqipfolëse. Në Maqedoninë kjo ka nisur që kët vit”, tha Kushi.
Discussion about this post