Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka njoftuar se ditën e sotme është miratuar një marrëveshje midis Këshillit të Ministrave dhe Qeverisë së Moldavisë mbi bashkëpunimin policor.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, Balla shkruan se gjatë mbledhjes së sotme në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë u vendos me konsensusin e të gjithë deputetëve të pranishëm miratimi i saj.
Marrëveshja e miratuar do të synojë organizimin e operacioneve të përbashkëta policore dhe adresimin e çështjeve me rëndësi për të dy vendet si, lufta kundër krimit të organizuar , trafikimi i lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore.
“U miratua sot me konsensus nga të gjithë kolegët deputetë në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Moldavisë mbi bashkëpunimin policor.
Përmes kësaj marrëveshjeje synojmë organizmin e operacioneve të përbashkëta policore dhe adresuar çështjet me rëndësi si krimi ndërkufitar, lufta kundër krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike dhe qënieve njerëzore në funksion të rritjes së sigurisë së qytetarëve tanë. Fokus të veçantë për ne ka shkëmbimi i informacionit në luftën kundër lëndëve narkotike dhe psikotrope.
Policia e Shtetit po konsolidohet çdo ditë e më shumë si partner i besueshëm i policive dhe agjencive të vendeve partnere, në kuadër edhe të Interpol dhe Europol në luftën kundër krimit të organizuar, me një fokus të veçantë luftën kundër grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, armëve, krimeve kibernetike dhe trafikimit të qenieve njerëzore”,– shkruan ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Discussion about this post