Ndotja akustike, është kthyer në një shqetësim të madh për zonat bregdetare. Bashkitë e Vlorës dhe Himarës, sidomos në muajt e sezonit turistik, ‘vuajnë’ zhurmat që shqetësojnë jo vetëm pushuesit dhe turistët por edhe qytetarët e këtyre zonave. Këta të fundit duket se janë ndërgjegjësuar, teksa nëpërmjet denoncimeve përkatëse, kanë bërë që policia të ndalojë dhe ndjek penalisht disa administratorë lokalesh. Pavarësisht se ndërgjegjësimi do shumë kohë të ndodh dhe për këtë duhet edhe ndihmesa e institucioneve të shtetit dhe të pushtetit vendor, duket se ka një reagim qytetar dhe kjo është edhe më e rëndësishmja. Projekti “Monitorimi i ndotjes akustike në zonat bregdetare” #Vlorë #Himarë që mbështetet nga Leviz Albania projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhivillim dhe Bashkëpunim SDC, po jep një kontribut tepër me vlerë në këtë drejtim. Nivelet e zhurmave kryesisht përgjatë sezonit të verës janë mbi nivelet normale. Në Bashkinë e vlorës është regjistruar norma më e lartë 85 dB gjate muajit Gusht përgjatë lungomares dhe në Bashkinë Himarë vlera 80 dB në zonën e Potamit. Qytetarët të cilët banojnë në afërsi të qëndrave urbane janë të ekspozuar ndaj “zhurmave mjedisore” të cilat burojnë nga bizneset, makineritë, mjetet e transportit, etj. Nga ana tjetër edhe shumë të rinj po angazhohen vullnetarisht në organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese për uljen e zhurmave në qytetet e Vlorës dhe Himarës, mbështetur edhe nga organizatat partnere “Gjelbërimi 2000”, Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit, si dhe “Milieukontakt Shqipëri” që është edhe zbatuesi i projektit në terren,. Një ndër objektivat e këtij projekti është angazhimi i qytetarëve ose sic quhet ndryshe “Shkenca e qytetarëve”, në monitorimin e nivelit të zhurmave. Janë angazhuar të rinj lokalë në intervistimin e qytetarëve mbi perceptimin e tyre ndaj nivelit të zhurmave. Arlindi është një i ri nga Tirana që në Himarë ka ardhur për kaluar pushimet: “Është e tmerrshme. Ndotja akustike është e madhe sidomos nga lokalet gjatë shëtitores. Të ndërhyjnë institucionet”, shprehet ai. Alberti është një tjetër pushues që shqetësohet nga zhurmat në bregdetin e Vlorës. “Fluksi i madh automjetesh, zhurma të shtuara edhe nga boritë e tyre, për të mos folur për baret dhe restorantet në mbrëmje që krijojnë probleme si në zonën bregdetare por edhe përgjatë bulevardit”. Falë këtij projekti janë sensibilizuar edhe institucionet e pushtetit vendorë. Në Bashkinë e Vlorës, u organizua një takim ku të pranishëm ishin zv.kryetarja e Bashkisë Vlorë, Aulona Veizi, ekspertë të bashkisë dhe përfaqesues nga komuniteti. Përgjatë takimit u diskutua mbi arritjet e deritanishme, vazhdimësinë e projektit (procesin e monitorimit) duke marrë referencë disa objektiva kryesorë të tij. Në këtë takim është diskutuar për perceptimin qytetar mbi nivelin e zhurmave në zona të ndryshme urbane, për planin e menaxhimit të zhurmash (duke përfshirë masat dhe monitorimin) institucionet lokale për adresimin e zhurmave lokale. Ky projekt ka arritur tashmë të sigurojë, memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet Bashkisë Vlorë dhe Himarë, biznesve lokale dhe komunitet për ndërrmarrjen e aksioneve konkrete për menaxhimin e zhurmave.
Discussion about this post