Të ardhurat shtesë që do të vijnë nga ndryshmi i legjislacionit tatimor në vitin 2025 do të jenë rreth 9,1 miliardë lekë, ose rreth 90 milionë euro, sipas të dhënave nga projektbuxheti 2025.
Ministria e Financave pohoi se për vitin 2025 nuk është hartuar një paketë e re fiskale, e cila do të gjenerojë të ardhura shtesë për buxhetin e vitit 2025. Ndër masat e politikave fiskale të parashikuara në këtë buxhet janë ligje tatimore të miratuara në paketat e mëparshme dhe që sjellin efekte në të ardhura në vitin 2025, si dhe të ardhura nga efekti i politikave buxhetore.
Së pari në zbatim të ligjit për akcizat, lidhur me cigaret dhe duhanet, ka një kalendar 2022-2026 lidhur me rritjen e nivelit të akcizës çdo vit. Për vitin 2025 janë parashikuar të ardhura shtesë nga zbatimi i kalendarit të rritjes së akcizës në shumën prej 852 milionë lekësh si dhe 20% TVSH mbi këtë shumë të rritur akcize.
Së dyti, në buxhetin e të ardhurave të vitit 2025, janë parashikuar të gjenerohen 2 miliardë lekë shtesë nga zbatimi i ndryshimeve në ligjin “Për lojërat e fatit dhe kazinotë”.
Të ardhurat shtesë të parashikuara, përfshijnë si taksat nacionale të programuara të regjistrimit të operatorëve që do operojnë në fushën e basteve sportive, edhe të ardhurat nga tatimi mbi lojërat e fatit-baste sportive online që do paguajnë subjektet që do licencohen.
Së treti, nga data 1 korrik 2024 u zbatua reforma e dytë buxhetore e rritjes së pagave në administratën shtetërore. Rritja e fondit të pagave për administratën shtetërore ka efekt në të ardhurat nga tatimi mbi pagën dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Për vitin 2025, janë parashikuar që 7 muajt e parë, efekti në të ardhura do të jetë 6.3 miliardë lekë, nga të cilat 2 miliardë lekë janë të ardhura nga tatimi mbi pagën dhe 4.3 miliardë lekë janë të ardhurat nga kontributet.
Në kuadrin makroekonomik për vitin 2025 është parashikuar rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.9%, dhe indeksi i çmimeve 3%.
Këta tregues janë analizuar të kenë efekte në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si tatimi mbi vlerën e shtuar, renta minerare dhe taksa doganore me rreth 21 miliardë lekë të ardhura shtesë./Monitor
Discussion about this post