U S, një 25 vjeçar nga Vlora, është arrestuar nga Policia e qytetit bregdetar pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid. Ai akuzohet për disa vepra penale dhe Gjykata spanjolle ka dhënë masën paraprake të sigurisë “Arrest në burg”.
Ndërkohë, po dje në Vlorë është arrestuar dhe shtetasi tjetër Xh. H, i cili sipas Policisë, ka qenë pjesë e të njëjtit grup kriminal me U. S në Spanjë dhe merreshin me kultivimin e marijuhanës.
Njoftimi i plotë i Policisë së Vlorës:
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për vendndodhjen e një tjetër shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht si pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet kultivimin e bimëve narkotike të llojit marijuanë, në Spanjë, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me Interpol Tirana, fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Escape”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kap në Rrugën Transballkanike dhe u arrestua përkohësisht, shtetasi:
– U.S, 25 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, pasi Gjykata Qendrore e Instruksionit në Spanjë, me vendimin e datës 01.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Grup kriminal” dhe “Mashtrim në fushën e energjitikës”, parashikuar nga legjislacioni penal spanjoll.
Shtetasi U.S dhe shtetasi Xh.H, i cili u arrestua ditën e djeshme nga Policia, në Vlorë, akuzohen si pjesëtarë të të njëjtit grup kriminal në Spanjë, që merret me kultivimin e marijuanës. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Discussion about this post