Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen protestës së radhës që do të mbahet nesër përpara Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, ata duhet të protestojnë kundër “një prej simboleve më të urryera të Shqipërisë, Erion Veliaj”.
“Ndaj dhe u bëj thirrje mbarë shqiptarëve të bashkohemi nesër në betejë kundër njërit prej simboleve më të shpifura, më të urryera, më të padenja të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që ka emrin Erion Veliaj.
Erion Veliaj përfaqëson prototipin e njeriut të zhveshur nga çdo normë, karakter dhe moral. E njeriut që detyrën e mori për të vjedhur qindra milionë me djegësin e Tiranës dhe për të mos pasur pas 6 vitesh nam as nishan të tij”, u shpreh Sali Berisha.
Më tej, lideri demokrat akuzoi kryebashkiakun e Tiranës së ka shfrytëzuar postin publik për të pasuruar të vëllanë, Arbër Veliaj dhe bashkëshorten, Ajola Xoxa.
“Erion Veliaj, detyrën e shfrytëzoi për të vjedhur me emrat e drejtorëve të tij 100 përqind të fondeve publike, tendera me kompanitë e tij. Si askush tjetër, Erion Veliaj, detyrën e shfrytëzoi për të majmur, për të pasuruar vëllain dhe bashkëshorten, me të cilët ai ka marrë peng të tjerët”, vijoi Sali Berisha.
Discussion about this post