Arlind Gjokutaj, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, ka përfunduar në spital. Mësohet se zyrtari i lartë që akuzohet për një dëm 1.2 milionë euro ose 1.5 miliardë lekë ndaj shtetit, ka shfaqur probleme shëndetësore.
Gjokutaj është dërguar në spital në repartin e kardiologjisë, pasi ka shfaqur probleme me zemrën. Ndërkohë, përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori i çështjeve ligjore Fatmir Hoxhaj kanë dalë sot para togave të zeza për tu njohur me masën e sigurisë.
Përsa i përket sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, pritet që masa e sigurisë t’i komunikohet në ambientet e spitalit ku po merr trajtim. Arlind Gjokutaj ndodhet në ambientet e QSUT prej mbrëmjes së djeshme.
“Këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit I. TH. [Ilir Thana], në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015”, bën me dije Prokuroria.
Organi i akuzës thotë se e gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cënon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.
Discussion about this post