Berisha: Nuk do të ketë stabilitet pa votë të lirë
Ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike nisi protestat për rrëzimin e Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.
Protestës paqësore që zgjati për më shumë se 2 orë e 30 minuta, iu bashkuan edhe krerët e partive opozitare.
Krahas thirrjeve për largimin e Edi Ramës protestuesit folën edhe përmes simbolikave, duke vendosur poshtë zyrës së kreut të qeverisë edhe këtë gomone, si dëshmi e largimeve masive të shqiptarëve drejt brigjeve të Britanisë së Madhe.
Për Sali Berishën kjo protestë është cunami i lirisë së shqiptarëve që tha se nuk do të ndalet.
“Edi Rama, monizmin tënd do ta arkivojmë në shtëpinë e turpit të historisë. Slogani juaj,“Edi Rama o hajdut, boll vodhe shko në burg”, do bëhet realitet”.
Kryeministri Rama nuk ishte në zyrën e tij teksa protestohej, por Sali Berisha e akuzoi si armik të lirive të shqiptarëve dhe të votës së lirë. Një paralajmërim i bëri teksa i kujtoi fundin që e pret, nëse do të prekë zgjedhjet.
“Edi Rama mos harro traditën e shqiptarëve për liri. Mjerë ai që prek lirinë e tyre, mjerë ai që prek votën e tyre. Votën kurrë nuk ta falim.”
Një mesazh Berisha adresoi edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe atyre që i cilësoi si miq të shqiptarëve.
“Mos mbështesni regjimin e Edi Ramës, sepse Edi Rama është armik i votës së lirë të shqiptarëve. Çdo mbështetje për të, është ndëshkim për shqiptarët. Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të qytetarëve shqiptarë”.
U ndal jo pak në akuza ndaj Kryeministrit edhe për aferën e Portit të ri të Durrësit, përgjegjës e bëri për largimet masive të shqiptarëve duke i garantuar shqiptarët se Partia Demokratike ka gati një paketë antikrizë për rikthimin e shpresës dhe rimëkëmbjen e vendit nga keqqeverisja 9-vjeçare e Edi Ramës.
“Ne garantojmë se janë të gjithë potencialet për një paketë antikrizë që çmimet të mos jenë më të larta se në Kosovë e Maqedoni.”
Me dy gishtat lart, edhe Ilir Meta ishte jo më pak i ashpër në akuza ndaj Kryeministrit.
“Rilindja ka vetëm një axhendë: Vidh-shpopullo-shkombëtarizo”.
Në fund të protestës paqësore, qytetarët u drejtuan në shkallet e Kryeministrisë për të ndezur disa qirinj çfarë shkaktoi dhe të vetmin incident.
Policia sqaroi se shoqëroi një person me probleme të shëndetit mendor, pasi konsideroi se ai mund të cenonte sigurinë e protestuesve.
Discussion about this post