Një 30-vjeçar shqiptar në Greqi është qëlluar me armë zjarri nga punonjësit e policisë gjatë një aksioni policor në Athinë.
Uniformat blu nisën një operacion në orën 06:00 të mëngjesit sipas orës lokale greke në rezidencën e studentëve pranë Universitetit të Teknologjisë, pas dyshimeve se këto ambiente përdoreshin për trafik droge dhe shërbenin si bazë për të grumbulluar sende dhe objekte të grabitura.
Por teksa zhvillohej aksioni i policisë, një efektive u ndje keq dhe u largua nga vendngjarja. Gjatë kohës që po shkonte në makinën e saj për t’u larguar, policja u sulmua me kaçavidë nga një shqiptar rreth 30 vjeç.
Forcat e policisë greke u detyruan që të ndërhynin dhe qëlluan me armë në këmbë shqiptarin duke e lënë të plagosur. Ai u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 30-vjeçari është arrestuar. Në pranga ka rënë edhe vëllai i tij. Të dy jetonin në rezidencën studentore.
Deri më tani policia greke ka arrestuar 9 persona gjatë aksionit.
Discussion about this post