Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici është dënuar me 4 vite e 6 muaj nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Vendimi është dhënë pak minuta më parë, ndërsa që vetë Safet Gjici ndodhet në spitalin privat “Hygeia”, siç raportoi ekskluzivisht më herët neësbomb.al, pasi është i sëmurë.
Kohët e fundit ai ka pasur një humbje të madhe në peshë, nga faktorë të panjohur, dhe menjëherë është marrë vendimi që biznesmeni i kompanisë “Kevin Costruksion” e njëherësh ish-kryebashkiak i Kukësit t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore.
Ndërkohë, sot avokatët e tij kanë bërë mbrojtjen në Apelin e Posaçëm, pasi më herët Gjykata e Posaçme, Shkalla e Parë e dënoi me 3 vite burg. Sot, togat e zeza kanë prishur vendimin e parë dhe kanë shtuar dhe 1 vit e 6 muaj mbi dënimin e Safet Gjicit.
Përfundimisht, ish-kryebashkiaku i Kukësit ka një dënim të formës së prerë me 4 vite e 6 muaj burg dhe nuk është shpallur fajtor për “Shpërdorim detyrë”, por për veprën penale “Korrupsion pasiv”, pasi mori përsipër t’i jepte një tender shtetases Alma Kaçi në këmbim të favoreve seksuale.
Ndryshim vendimi dhe për Alma Kaçin. Gruaja që u përdorë nga kundërshtarët e Safet Gjicit për t’i shkuar në zyrë dhe për ta filmuar teksa kryenin marrëdhënie seksuale ishte dënuar nga Shaklla e Parë me 1 vit burg për veprën penale “Prostitucion”, ndërsa sot është shpallur fajtore për “Korrupsion aktiv” dhe është dënuar me 1 vit e 6 muaj.
Pra, ajo nuk është më fajtore për veprën penale “Prostitucion”, por për “Korrupsion aktiv”, pasi i ofroi kryebashkiakut të Kukësit favore seksuale në këmbim të marrjes së një tenderi për strehimin e qenëve endacakë në zonën e Kukësit. Me gjykim të shkurtuar, asaj i ulet 1/3 e dënimit dhe do të qëndrojë në qeli vetëm 1 vit.
Megjithatë, Alma Kaçi ka një fëmijë të mitur dhe me aftësi ndryshe, ndaj mund të mos shkojë në qeli por të qëndrojë në shërbim prove.
Discussion about this post