Dosja e Gent Shehut shkon në gjykatë, 31-vjeçari ndodhet ende në spital
Prokuroria e Tiranës do të kërkojë masën arrest me burg për Gerti Shehun, që goditi me grusht kryetarin e PD, Sali Berisha. Dosja e 31-vjeçarit ka mbërritur në gjykatën e Tiranës dhe pritet që të zhvillohet seanca për masën e arrestit ndaj tij.
Aktualisht Gerti Shehu ndodhet në spitalin e Traumës ku po mjekohet pas goditjeve që mori nga mbështetësit e Berishës pasi ai kreun aktin e dhunshëm. Nëse mjeket nuk japin leje të largohet nga spitali atëherë masa e sigurisë do t’i komunikohet në ambientet e spitalit.
Gerti Shehu akuzohet për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje. Deri më tani ai nuk ka pranuar të flasë për arsyet që shtynë drejt këtij veprimi. Pritet që Gerti Shehu t’i nënshtrohet një ekspertize mjekësore për shkak se familjaret e tij pretendojnë se ai vuan nga probleme te shëndetit mendor.
Analizat laboratorike të Institutit të Mjekësisë Ligjore për lëndë narkotike nuk janë administruar akoma nga hetuesit për rastin e 31-vjeçarit Gert Shehu. Që prej mbrëmjes të së martës janë dorëzuar mostrat e analizave në IML, por akoma nuk ka një përgjigje zyrtare nëse Shehu ishte ose jo nën ndikimin e narkotikëve ditën e incidentit.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se po vijon këqyrja e kamerave të sigurisë të vendeve ku ka lëvizur në tre ditët e fundit 31-vjeçari, për të parë nëse ka qenë në shoqëri të personave të tjerë ose jo. Në këqyrjet që janë bërë deri tani rezulton se Shehu nuk ka pasur kontakte me njeri në hapësira publike dhe nuk ka asnjë person të dyshuar që mund ta ketë kontaktuar verbalisht dhe të ketë gisht në ngjarje.
Discussion about this post